Telegrafi

Von Der Leyen në Shkup: Takim me Pendarovskin dhe Kovaçevskin, por jo me Mickoskin

Temë e bisedës, siç paralajmëroi zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq pritet të jenë reformat e nevojshme dhe të patjetërsueshme, si dhe mjetet shtesë që duhet t’i marrim si ndihmë nga BE dhe motivimi për reforma. Sipas tij, pritet që ajo t’i paralajmërojë raportet e KE për përparimin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, publikimi i të cilëve është paraparë për më 8 nëntor, si dhe të prezantojë pikat kryesore të Planit për rritje të Ballkanit Perëndimor, që duhet të publikohet në fund të këtij viti.

“Ky është një plan që na mundëson zbatimin e disa politikave të BE-së në vendet tona para anëtarësimit. D.m.th. është një lloj integrimi para anëtarësimit. Është plan që duhet të na mundësojë më shumë mundësi për të rinjtë tanë, për biznes bashkësitë tona dhe plan që duhet të na mundësojë më shumë mundësi edhe për institucionet dhe për qytetarët para aderimit në BE”, tha Bojan Mariçiq, zv.kryeministër për Çështje Europiane.

Kreu i OBRM-së, Hristijan Mickoski, pa saktësuar nëse do të takohet me Von Der Leyen, porositi që ai pret surprizë të këndshme, përkatësisht KE të dalë me qëndrim për nisje të pakushtëzuar të negociatave.

“Dhe se pa kushtëzime shtesë me të cilat është përballur shteti ynë do të fillojmë negociatat, edhe pse jam i vetëdijshëm për mungesat e shumta që i kemi në planin vendor për shkak të mos punës së Qeverisë së korruptuar të LSDM-së dhe BDI-së. Vlerësoj se në atë mënyrë do t’i jepet mirënjohje edhe shtetit edhe qytetarëve”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i OBRM-PDUKM-së.

Lidhja Demokratike pret që përfaqësuesit e Qeverisë dhe Presidenti të këmbëngulin që Maqedonia të fillojë negociatat me BE-në pa asnjëfarë kushtëzimi dhe kërkesë që nuk janë pjesë e kritereve të Kopenhagës.

“Kryetarja e KE, Ursula Von Der Leyen duhet të angazhohet që Këshilli i BE-së të sjell vendim që çështjet historike, arsimore dhe të identitetit të mos jenë bazë për bllokimin e eurointegrimit të Maqedonisë. Kërkesat joprincipiele dhe mohuese nga ana e Bullgarisë duhet të jenë lëndë e bisedimeve dypalëshe dhe të zgjidhen me vullnet të mirë, mirëkuptim të ndërsjellë dhe bazë reciproke”, thanë nga Lidhja Demokratike.

Von Der Leyen nga Shkupi, do të udhëtojë për në Prishtinë, e më pas do të vizitojë Podgoricën, Beogradin dhe Sarajevën. Vizitën, siç është paralajmëruar, Von Der Leyen do ta shfrytëzojë për të biseduar për bashkëpunim dypalësh me liderët rajonal dhe që në detaje t’ua prezantojë Planin për rritje të BE-së për Ballkanin Perëndimor.