Telegrafi

Von Cramon: Protestat në Maqedoni mund të përdoren nga Rusia dhe të përhapen në rajon

Eurodeputetja dhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka shprehur shqetësimin për protestat e dhunshme në Maqedoninë e Veriut.

Sipas saj ato mund të përhapen edhe në Mal të Zi dhe mund të përdoren nga Rusia.

Në një postim në Twitter, Viola Von Cramon bën përgjegjës Bashkimin Europian që dështoi në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa i bën thirrje të përshpejtojnë veprimet.

“Kur Shtetet Anëtare të BE dështojnë të japin shpërblim të prekshëm për qeveritë progresive në Ballkanin Perëndimor, ne kemi trazira në Maqedoninë e Veriut dhe potencialisht Mal të Zi që mund të shfrytëzohen nga Rusia dhe aktorë të tjerë të huaj. Ka ardhur koha që Bashkimi Europian të kuptojnë dhe të përshpejtojnë veprimet e tyre”, shkruan eurodeputetja.

Kujtojmë që protestat e dhunshme në Shkup kanë vijuar për të pestën ditë radhazi kundër propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë.

Të shtëna me armë u regjistruan në sheshin Skënderbeu duke nxitur shkëmbime akuzash mes qeverisë dhe opozitës.

Kryetari i opozitës maqedonase OBRM-PDUKM, Hristijan Mickovski pretendoi mbrëmë se ka qenë në shënjestër të sulmit me armë.