Telegrafi

Von Cramon për njohjen e targave RKS: Hap drejt realitetit të njohjes de facto të Kosovës nga Serbia

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë kanë marrë vendim që t’i largojnë letrat ngjitëse në targat e veturave.

Von Cramon ka thënë se heqja e stikerave nga automjetet me targa të Serbisë dhe njohja e targave RKS nga Serbia, është një hap përpara realitetit ku Serbia e njeh de facto Kosovën.

“Nuk ka më ngjitëse në targa kur udhëtoni nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas. Ajo që ishte projektuar si masë e përkohshme është përfundimisht e tepërt”.

“Një hap më shumë drejt realitetit në të cilin Serbia de facto e njeh Kosovën si shtet dhe kontribuon për paqen e prosperitetin në rajon”, ka shkruar ajo në rrjetin social “X”.

 

Serbia ka vendosur t’i lejojë automjetet me targa RKS të lëvizin lirshëm në territorin e saj nga fillimi i kësaj jave. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka vendosur në një mbledhje elektronike të enjten që të largohen stikerat nga veturat me targa të Serbisë./Telegrafi/