Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar duke thënë se nuk mjafton vetëm fakti që është biseduar për liberalizimin e vizave për kosovarët në Këshillim e Bashkimit Evropian, pasi qytetarët Kosovës duan një datë se kur do të ndodhë liberalizimi.
Këto komente i bëri ajo në Twitter, pas raportimeve se në Draftin e Konkluzave që është përgatitur e që është në proces të miratimit, vetëm përsëritet se “Këshilli kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet se “propozimi është duke u shqyrtuar në Këshill” dhe rikujtohet se Komisioni Evropian kishte propozuar qysh në vitin 2018 që Kosovës t’i hiqen vizat.
Në reagimin e saj Viola von Cramon ka thënë se qytetarët e Kosovës dëshirojnë të kenë të qartë një datë, e kjo varet nga Këshilli Europian.
“I gëzohem faktit që Këshilli i Bashkimit Evropian ka diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mirëpo, kjo nuk është e mjaftueshme. Qytetarët e Kosovës dëshirojnë të kenë një datë të qartë. E gjitha kjo varet vetëm nga Këshilli”, shkruan Cramon në Twitter, transmeton Telegrafi.
I am happy to see that @EUCouncil has discussed #Kosovo visa liberalisation. But it is not enough. Citizens of Kosovo want to have a clear timeline. And it depends only on the Councilhttps://t.co/CxMhWJPjgz
— Viola von Cramon (@ViolavonCramon) November 30, 2020
Ndryshe, Këshilli i Bashkimit Evropian edhe këtë vit do të miratojë konkluzat për procesin e zgjerimit dhe procesin e stabilizim-asocimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes së cilave do të bëjë ftesë për nevojë urgjente për reforma dhe për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Drafti i Konkluzave tashmë është përgatitur dhe teksti i tyre është në proces të miratimit nga përfaqësuesit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.wNë këtë draft, tekstin e të cilit e ka parë Radio Evropa e Lirë, Kosova ftohet që të përmirësojë urgjentisht përpjekjet për përmirësimin e sundimit të ligjit, të shtojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe reformave të administratës publike.
Nga Kosova kërkohet edhe vazhdim i përkushtimit ndaj Dhomave të Specializuara, në përputhje të plotë me obligimet ndërkombëtare të saj, ligjet vendore dhe si një rrugë për të dëshmuar përpjekje të sinqerta për sundimin e ligjit, liritë themelore, drejtësi dhe pajtim.
Këshilli i BE-së, siç thuhet në tekstin e përgatitur për këto konkluza, të cilat duhet të miratohen nga shtetet anëtare, kërkon nga Serbia që të vazhdojë procesimin e rasteve të krimit të luftës. Po ashtu nga Serbia kërkohet që të parandalojë glorifikimin e kriminelëve të luftës.
Nga të gjitha shtetet e Ballkanit kërkohet që të përshtatin qëndrimet e tyre me BE-në në çështjet e politikës së jashtme sidomos për masat restriktive që BE-ja miraton për shtetet e treta.
Teksti i këtyre konkluzave, që kanë edhe pjesën e përgjithshme për rajonin por edhe ato të veçanta për secilin vend, është një lloj i përmbledhjes së të gjeturave të Komisionit Evropian, të cilat janë botuar në paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit të miratuara kohë më parë. /Telegrafi/