Site icon Telegrafi

Von Cramon: Fundi i mandatit të Lajçakut duhet të jetë fundi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

“Përfundimi i mandatit të Miroslav Lajçakut (prill 2024) si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë gjithashtu fundi i dialogut, i cili natyrisht duhet të bazohet në njohjen reciproke, e cila gjë nuk do të jetë e lehtë, por unë jam shumë optimiste për këtë çështje”, tha raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.

Ajo iu drejtua mediave së bashku me Vladimir Bilçik, raportuesin e PE-së për Serbinë, pas seancës plenare të Parlamentit Evropian ku u miratuan rezolutat e PE-së për Serbinë dhe Kosovën, dhe Von Cramon shpjegoi detajet e raportit të saj për Kosovën, në bazë të së cilës është hartuar rezoluta, raporton danas.

Lexo po ashtu Vuçiq: Nuk do të nënshkruajmë marrëveshje për njohje reciproke me Kosovën

“Raporti për Kosovën thekson nevojën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, bazuar në njohjen reciproke, që është parakusht për vazhdimin e rrugës së të dyja palëve drejt anëtarësimit në BE. Aktualisht dialogu nuk është në agjendën e Beogradit, por edhe Prishtinës zyrtare dhe kjo është kritikuar nga shumë eurodeputetë, si dhe në raportin tonë”, tha Von Cramon.

Ajo tha se ka çështje që së fundi kanë filluar të zgjidhen, siç është marrëveshja për personat e pagjetur dhe marrëveshja për çështjet e energjisë dhe se këto janë hapa përpara, por jo të mjaftueshëm.

“Marrëdhëniet duhet të përmirësohen, jo vetëm në nivelin politik por edhe në nivelin e jetës së qytetarëve”, tha ajo dhe shtoi se integrimi i serbëve të Kosovës është i rëndësishëm.

Lexo po ashtu Parlamenti Evropian miraton Rezolutën që bën thirrje për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

Von Cramon ka theksuar se ka pritje të mëdha për takimin që Lajçak duhet ta udhëheqë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Shpresojmë që të mbahet një takim në nivelin më të lartë politik ku do të zgjidhen disa çështje urgjente, si ajo e targave të veturave”, tha ajo, duke shtuar se Miroslav Lajçak ka mbështetjen e plotë të PE në punën e tij për këto çështje.

Ndryshe, BE-ja së fundmi zgjati mandatin e Lajçakut si kryenegociator midis Kosovës dhe Serbisë deri në muajin prill të vitit 2024. /Telegrafi/

Exit mobile version