Kompania gjermane Volkswagen tha se fitimet e saj janë rritur me 44 për qind në tremujorin e tretë falë një përzierjeje më fitimprurëse të automjeteve.
Megjithatë, prodhuesi i automobilave paralajmëroi se tregjet botërore po ngadalësojnë më shumë sesa pritej dhe ulën parashikimin për shitjet vjetore.
Fitimi pas taksës u rrit në 3.98 miliardë euro, ndërsa të ardhurat u rritën për 11 për qind në 61.42 miliardë. Marzha e shitjeve prej 7.8 për qind e tejkaloi synimin prej 6.5 për qind deri 7.5 për qind.
Kompania me qendër në Wolfsburg tha se pret që, “tregjet e automjeteve do të kontraktohen më shpejtë nga sa ishin parashikuar më parë në shumë rajone të botës”.
Më pas theksuan se shitjet do të jenë “në një nivel” me rekordin e vitit të kaluar prej 10.8 milionë vetura.
Ditë më parë, Volkswagen ka shtyrë vendimin për ta hapur fabrikën e saj në Turqi, si pasojë e kritikës ndërkombëtare për operacionin ushtarak të vendit në Siri dhe shqetësimet për rënie potenciale të reputacionit.
Bordi mbikëqyrës i kompanisë do të takohet këtë javë për të vendosur nëse do të vazhdojë me një investim të planifikuar në Turqi apo të ndërtojë një strukturë të re diku në Evropë, por sipas burimeve kjo pritet të bëhet në Sllovaki. /Telegrafi/