Grupi i njohur gjerman, Volkswagen, po ka probleme të shesë automobilat e rinj, pas skandalit “Dieselgate” me emetimin e gazrave te automobilat me naftë.
“Emetimi i dyoksidit të karbonit ka shkaktuar krizë të besimit te njerëzit në produktet e Volkswagenit”, citon Reuters fjalët e Bernd Osterloh, përfaqësues i kompanisë.
Më 3 nëntor, VW kishte pranuar se ka manipuluar me emetimin e gazrave te më shumë se 800 mijë automobila të shitur në Evropë dhe pritet të paguajë të paktën dy miliardë euro për të kompensuar klientët.
Shitjet e Grupit VW pësuan rënie prej 3.5 për qind në tetor, transmeton koha.net.
Sipas Osterlohit, shitja e dobët e automobilave mund të shkaktojë edhe largim të punëtorëve.
“Punësimi është i sigurt kur shesim automobila. Nëse nuk shesim automobila, do të jetë e vështirë. Mbetet të shohim porositë në ditët, javët dhe muajt në vijim”, ka shtuar ai.