Mbylljes prej gjashtë javësh, duket se po i vjen fundi
Që nga muaji i kaluar, prodhuesit e makinave e kanë ndërprerë prodhimin, ndërsa disa prej tyre e kanë përshtatur linjën e prodhimit, që të mund të prodhojnë pajisje mbrojtëse kundër coronavirsuit, transmeton Telegrafi.
Kjo mbyllje do t’ju shkaktojë probleme të mëdha financiare, por megjithatë ka filluar të punohet, që të ketë një rifillim të ngadaltë të punës.
Gjatë kësaj jave, Volkswagen njoftoi se ka rifilluar prodhimin e makinës Golf në Wolfsburg, ndërsa është duke punuar në rihapejn e fabrikave tjera.
Duke filluar nga java e ardhshme edhe Porsche do t’i hapë fabrikat në Zuffenhausen dhe Leipzig në Gjermani, ku do të vazhdojë puna në prodhimin e Porsche Taycan.
“Rifillimi është i rëndësishëm, si për punonjësit ashtu edhe për blerësit. Ne e kemi analizuar situatën, në mënyrë që t’i përshtatemi procesit sa më mirë. Tani është koha, që me më shumë vullnet t’i kthehemi obligimeve që na presin”, ka thënë zyrtari ekzekutiv për prodhim dhe logjistikë në Porsche, Albrecht Reimold.
Të gjithë punonjësit do të testohen për coronavirus, para se të kthehen në punë, derisa detyrohen të mbajnë distancën prej një metri e gjysëm dhe të bartin maskat gjatë gjithë kohës.
Në përpjekje që të ndihmojë të sëmurët me coronavirus dhe spitalet që i trajtojnë të sëmurët, Porsche i ka mbledhur dhe do t’i bëjë donacion pesë milionë euro. /Telegrafi/