Sonte (e diel) në emisionin “Përballje”, prodhim i Telegrafit me gazetarin Muhamet Hajrullahu, është diskutuar për gjendjen në futbollin e Kosovës. I ftuar ishte kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili ka folur për disa tema të ndryshme.
Fillimisht, në emision u debatua për premtimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për t’i ndihmuar FFK-së në finalizimin e stadiumit të Prishtinës.
“Një shtet dhe kryeqytet pa stadium është i mangët. Ne jemi takuar me kryeministrin Haradinaj dhe ministrin Gashi, i kemi adresuar kërkesat tona dhe kemi premtime pasi prioritet i prioriteteve është stadiumi i Prishtinës”.
“Nevojitet një kontratë për punë shtesë dhe jemi në rrugë të mirë. Por, kemi nevojë për buxhet shtesë dhe kemi premtim nga kryeministri dhe ministri se ato do vijnë”.
“Deri në fund të marsit është afati i fundit, por mund të ketë tolerime. Në muajin qershor të 2018 mund të bëhet një ndeshje testuese”.
“Në situatën aktuale që jemi dhe me rishikim të buxhetit janë planifikuar mjetet dhe mendoj se gjasat janë reale që stadiumi të përfundohet në mars. Ka mbetur ndriçimi, pjesa e brendshme dhe disa punë të lehta”.
“Para disa ditësh me një zyrtar të UEFA-s kemi vizituar stadiumin dhe ai na tha se punën janë duke shkuar mirë dhe kështu ne nuk do kemi asnjë problem për certifikimin e tij”, tha Vokrri.
“Stadiumi Nacional, në Bërnicë apo Drenas? Ne si FFK kur na është thënë që stadiumi do të ndërtohet në Bërnicë, kemi dalë dhe kemi vizuar terrenin, por ne nuk jemi ekspertë dhe ne nuk kemi të tillë”.
“Ne nuk vendosim, pavarsisht konsultimeve dhe informatave. Kjo u takon ekspertëve të fushë, ata duhet të vendosin. Kjo nuk duhet të polimizohet pasi stadiumi është interes i të gjithëve”.
“Jemi në fazën fillestare, ndoshta as fillestare. Por, rikthehem se prioritet është stadiumi në Prishtinë”, shtoi ai. /Telegrafi/