Telegrafi

Vojvoda nuk e mendon largimin, i vendosur të qëndrojë te Torino

Mërgim Vojvoda është në vitin e tij të tretë me klubin Torino, teksa lojtari i Përfaqësueses së Kosovës është shndërruar në një futbollist kyç për Ivan Juric.

Mbrojtësi anësor e ka nisur si titullar edhe këtë sezon teksa ka besimin e plotë të teknikut kroat, ndërsa ishte në fushë edhe në debutimin e Torinos për këtë sezon të Serie A.

Megjithatë Torino në ndeshjen e parë nuk mori më shumë se një barazim pa gola 0-0 me Cagliarin.

Lexo po ashtu Mërgim Vojvoda në stilin e sulmuesit shënon gol të bukur te Torino

Vojvoda ka folur për këtë takim, teksa u pyet edhe për një largim të mundshëm nga Torino ku kërkohet nga gjiganti turk Fenerbahce.

“Cagliari zhvilloi një ndeshje të fortë sidomos në aspektin difensiv. Gjithsesi, krijuam rastet tona dhe mungoi vetëm goli. E dinim mirë rreshtimin e kundërshtarit, pritej që të qëndronin në mbrojtje dhe nuk mund të fitonim 5-0. Provuam edhe me goditjet nga distanca, por nuk na eci”.

“Unë ndjehem shumë mirë te Torino, jam i lumtur dhe nuk e mendoj fare afatin kalimtar. Me trajnerin Juric mësoj shumë dhe marrëdhënia jonë është gjithmonë e më e mirë”, u shpreh Vojvoda.

Lexo po ashtu Fenerbahce kërkon tre lojtarë nga Serie A, njëri nga ta është Mërgim Vojvoda

Kujtojmë se Vojvoda gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Kupën e Italisë ndaj Feralpisalo duke ndihmuar skuadrën e tij të fitonte me shifrat 2-1 dhe të avanconte për më tej në garën e dytë për nga rëndësia në Itali. /Telegrafi/