Site icon Telegrafi

Vojvoda: E kemi dhënë maksimumin, por duhet të marrim më shumë përgjegjësi

Mërgim Vojvoda ka thënë se për kualifikim në ngjarje të mëdha nuk mjafton vetëm paraqitja në fushë. Ai ka thënë se të gjithë duhet të marrin më shumë përgjegjësi.

Mbrojtësi i Kosovës, Mërgim Vojvoda, ka thënë pas ndeshjes me Bjellorusinë se Kosova e kishte kontrollin e ndeshjes por që duhet të pajtohen me fatin e tyre.

“Nuk është që Bjellorusia ka pasur shumë raste, që e ka pasur lojën në kontroll. Ne kishim shumë raste, por nuk shënuam golin që do të na jepte vetëbesim. E morëm golin nga gjysmërasti, por ky është futbolli, duhet të pajtohemi”, ka thënë fillimisht Vojvoda.

Lexo po ashtu Kosovë 0-1 Bjellorusi, notat e lojtarëve

Tutje, ai ka folur në përgjithësi për rrugëtimin e Kosovës në këtë cikël të kualifikimeve për “Euro 2024”, duke thënë se duhet të marrin më shumë përgjegjësi.

Ai më pas ka folur për gjithë ciklin kualifikues.

“E kemi dhënë maksimumin, por kemi pasur edhe shumë mungesa fatkeqësisht. Lojtarët e ri duhet t’i falënderojmë shumë. Është një përvojë e madhe për ta për të ardhmen. E lëshuam edhe një rast për kualifikim, por nuk ishte lehtë. Kemi lojtarë fantastikë. Ambienti është i mirë, i kemi inkuadruar lojtarët e rinj shumë mirë. Unë mund të flas për fushë dhe për kohën kur jemi bashkë. Ne kalojmë shumë mirë. Për kualifikim nuk është vetëm fusha, ka shumë gjëra. Shumë persona, shumë staf. Duhet të marrim përgjegjësinë. Unë kur vijë e jap maksimumin. Duhet të marrim përgjegjësi më të mëdha”, shtoi ai.

Lexo po ashtu Gliha mendon se Kosova e meritoi fitoren, për të ardhmen nuk e di se çfarë do të ndodh

Për fund ai pati disa fjalë edhe për gjendjen e rënduar të stadiumit “Fadil Vokrri”.

“Sot u kanë shumë zor. Do të kishim pasur qejf të kemi një stadium më të mirë. Nuk e di kush e ka këtë përgjegjësi. Unë vij për të luajtur. Shpresoj se do të kemi kushte më të mira”, përfundoi drenicasi. /Telegrafi/

Exit mobile version