Site icon Telegrafi

Vodhi aeroplanin nga aeroporti i San Franciskos dhe ‘ateroi’ në një plazh në Kaliforni – burri në gjyq pati një kërkesë të pazakontë

Një burrë i dyshuar për vjedhjen e një aeroplani të vogël nga një aeroport afër San Franciskos dhe më pas e la në një plazh në Gjirin e Half Moon, është akuzuar për vjedhje aeroplani.

Luiz Gustavo Aires (50) u deklarua i pafajshëm në seancën e djeshme, e cila mori një kthesë të papritur kur ai kërkoi të përfaqësonte veten, transmeton Telegrafi.

Gjykatësi e refuzoi kërkesën, duke vendosur se ai nuk ishte i kualifikuar për të vepruar si avokat i vetes. Aires po mbahet në paraburgim dhe po përballet me tre akuza, duke përfshirë atë posedim të kartave të bankës dhe dokumente identifikimi të tre personave të tjerë.

Akuzat vijnë më pak se një javë pasi autoritetet morën një raport të enjten në mbrëmje, për një aeroplan të vogël që u ul pranë ose në një plazh në Gjirin Half Moon, një qytet i vogël në bregun e Kalifornisë në jug të San Franciskos.

Kur policët mbërritën në zonë, gjetën aeroplanin me një motor në një pozicion të çuditshëm, por të padëmtuar dhe bosh. Ata shpejt gjetën dhe ndaluan një burrë 50-vjeçar nga Miami, i cili përputhej me përshkrimin e personit që shihej duke u larguar nga aeroplani.

Autoritetet thonë se aeroplani ishte vjedhur nga aeroporti Palo Alto pranë skajit jugor të Gjirit të San Franciskos. Sipas Administratës Federale të Aviacionit, aeroplani është regjistruar tek një instruktor fluturimi në Palo Alto. /Telegrafi/

 

Exit mobile version