Site icon Telegrafi

Vodhën televizorë, arka fiskale e gjenerator – arrestohen katër persona për vjedhje të rëndë në Ferizaj

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për vjedhje të rëndë në Ferizaj.

Policia sqaron tutje se më datë 30.12.2024 dhe 31.12.2024, në stacionin policor të Ferizajt janë raportuar dy raste të vjedhjeve të rënda, të cilat kanë ndodhur në fshatin Jezercë të Ferizajt.

“Pas mbërritjes në vendngjarje, hetuesit policorë, nën autorizimin e Prokurorit të Shtetit, kanë kryer ekzaminimet e nevojshme. Hetimet fillestare kanë mësuar se persona të panjohur, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, kishin depërtuar me forcë në dy restorante”, thuhet në raport.

Policia njofton se në restorantin e parë janë vjedhur: tre televizorë dhe tre të tjerë janë dëmtuar (vlera rreth 6,000 euro), arka fiskale, një monitor dhe kabllo elektrike (vlera rreth 8,000 euro).

Po ashtu është dëmtuar gjithashtu edhe dera e hyrjes.

Ndërsa, në restorantin e dytë janë vjedhur një gjenerator elektrik (vlera rreth 1,400 euro). Disa shishe alkoolike të ndryshme.

“Pas një pune intensive hetimore dhe grumbullimit të informacioneve në terren, më 15.01.2025, policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë katër persona të dyshuar. Pas intervistimit nga hetuesit policorë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në raport.

Personat e arrestuar janë: M.G. (M/K), 21 vjeç, L.B. (M/K), 22 vjeç – të dyshuar për vjedhje të rëndë.

Xh.G. (M/K), 33 vjeç dhe G.H. (M/K), 32 vjeç – të dyshuar për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara nga kryerja e veprës penale”.

Kurse sendet e vjedhura janë sekuestruar përkohësisht nga policia. /Telegrafi/

Exit mobile version