Site icon Telegrafi

Vlora para Vlorës: Ngjarjet që përgatitën epopenë e vitit 1920

Nga: Pëllumb Xhufi

Pozita ndërkombëtare e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore ishte po aq e rëndë sa ç’kishte qenë në 1913-ën në Londër, pas luftërave ballkanike. Madje, edhe më e rëndë. Austro-Hungaria, përkrahëse e shtetit të pavarur shqiptar, ishte humbëse e luftës dhe nuk i mbijetoi asaj. Italia, që gjithashtu pati rolin e saj në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, pas luftës u kthye në një makth për shqiptarët, pasi këmbëngulte në zbatimin e Traktatit të Fshehtë të Londrës 1915, me të cilin vendet e Antantës i kishin premtuar Italisë aneksimin e Vlorës e të hinterlandit të saj, si dhe mandatin mbi pjesën tjetër të territorit shqiptar.

Pretendimi italian inkurajonte edhe aspiratën e Greqisë e të mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (Jugosllavisë) për të aneksuar Jugun dhe Veriun e Shqipërisë. Në fakt, Beogradi e bëri të qartë se në rast të shkëputjes së territoreve shqiptare nga vende të tjera (nënkuptohej Italia e Greqia), ai do kërkonte aneksimin e krejt bllokut në veri të lumit Drin, bashkë me Shkodrën, si dhe bregun e djathtë të Drinit të Zi. Nga ana e saj, Greqia e konsideroi fundin e kësaj lufte si rastin e përshtatshëm për të realizuar aneksimin e Shqipërisë së Jugut, bashkë me territore të tjera në Dodekanez, Thrakë e Azi të Vogël.

Greqia u bind të rreshtohet në krah të Antantës vetëm në muajt e fundit të luftës, ku luajti një rol të papërfillshëm në fitoren e armëve aleate. Në fakt, humbjet e saj llogariteshin në vetëm 4917 veta, mes të vrarëve, të plagosurve dhe të humburve, në një kohë që shifra e të vrarëve të palëve ndërluftuese ishte në disa milionë ushtarë. Pavarësisht nga kjo, Greqia pati në ditët e muajt e Konferencës së Paqes mbështetjen tradicionale të Francës, por edhe atë të interesuar të Britanisë së Madhe. Në bisedimet paraprake që pati me kryeministrin Lloyd George, Venizelosi e pati të lehtë ta joshë atë, duke premtuar se do vinte në dispozicion të flotës britanike të gjitha portet e bazat detare greke. Kështu, në janar 1919, Shqipëria paraqitej në Konferencën e Paqes së Parisit e vetmuar siç nuk kishte qenë as në Kongresin e Berlinit (1878), e as në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës (1913), ku gjithashtu ishin vendosur fatet e saj.

E vetmja dritë shprese që vinte nga Të Mëdhenjtë, ishte plani 14 pikash mbi paqen në Evropë, i paraqitur në 8 janar përpara Kongresit, i cili paralajmëronte një revolucion në marrëdhëniet ndërkombëtare, deri atëherë bazuara në ekuilibrin e forcave mes të mëdhenjve. Tash e tutje ato duhet të mbështeteshin në të drejtën e popujve për të vendosur për fatet e tyre. Jo rastësisht politikani e diplomati i hollë, Ismail Qemali, qe ndër të parët që e kapi që në ajër kuptimin e deklaratës së Wilsonit. Duke e quajtur atë “apostull të paqes dhe të lirisë së popujve”, Ismail Qemali shkruante në plot entuziazëm se “duke filluar nga sot, merr jetë perandoria e së drejtës dhe fillon epoka e drejtësisë universale”. Por, po të kishte jetuar pak më gjatë, Plaku i Vlorës do kishte parë se me gjithë futjen e fuqishme të faktorit amerikan në politikën evropiane, rolin drejtues në Konferencën e Paqes së Parisit e morën anglezi Lloyd George dhe francezi Clemenceau dhe këta ishin të vendosur të mbështesnin pretendimet e klientëve të tyre ballkanikë.

Sa u përket atyre greke mbi Shqipërinë e Jugut, Jules Cambon, kryetar i Komisionit për çështjet greko-shqiptare, e shprehu qartë pozicionin e Francës kur qysh në mbledhjen e parë të atij Komisioni deklaroi se “Konferenca e Paqes ofronte mjetin më të mirë për të kënaqur rivendikimet e hershme të kombit grek, duke plotësuar më në fund veprën e pavarësisë të filluar një shekull më parë nga Kombet Liberale të Evropës”. Nga ana e tij, përfaqësuesi anglez, Sir Eyre Crowe, i mbështeti pa rezervë pretendimet greke mbi Shqipërinë e Jugut dhe kur përfaqësuesi amerikan Day i kujtoi se ai territor banohej nga një popullsi në shumicë dërrmuese shqiptare, Crowe, plot cinizëm, tha: “Nuk prish punë, populli grek ka aftësi të mëdha asimiluese”!

Kështu, i sigurt në mbështetjen e Francës e Britanisë së Madhe, e pavarësisht se delegacioni i qeverisë së Durrësit në Konferencën e Parisit, me Mihal Turtullin e Mehmet Konicën si dhe anëtari italian i Komisionit, Kolonel Castoldi, i hodhën poshtë argumentet e statistikat e sajuara greke, Venizelos ishte i sigurt në triumfin e kauzës së tij. Ndërsa debatet mbi çështjen e kufirit shqiptaro-grek vazhdonin, ai drejtonte në mënyrë të ethshme nga Parisi përgatitjet për marrjen në dorëzim të “Vorio-Epirit”. Kështu, qysh në 3 shkurt, ai porosiste ministrin e Luftës në Athinë të përfundonte mobilizimin e rekrutëve të vitit 1919, për t’i dërguar në vendet që Konferenca e Paqes do i akordonte Greqisë. Me urdhër të tij, kryepeshkopi grek i Durrësit, Jakovi, u transferua urgjentisht për në Korçë, ku duhet të përgatiste kushtet për hyrjen e trupave greke, pa ndeshur në qëndresën e popullsisë. Leja formale për një transferim të tillë politik të kryepeshkopit u nxor menjëherë nga Patrikana e Stambollit.

Po me urdhër të Venizelosit, nga zonat kufitare me Shqipërinë filluan të nisen peticione, të organizohen manifestime të zhurmshme të organizuara nga “sillogjet vorio-epirote”, ku u bë kujdes të futeshin edhe shtetas shqiptarë të besimit mysliman. Prania e tyre do të akreditonte tezën e mbrojtur nga Venizellos në Konferencën e Parisit, sipas së cilës jo vetëm të krishterët e Shqipërisë së Jugut, por edhe myslimanët e dëshironin një bashkim me Greqinë. Në këtë atmosferë frenetike para-lufte, në 5 mars, ministri italian në Athinë, Avezzana, njoftonte Romën se në qendrat kufitare të Janinës, Camandas e Konicës po grumbulloheshin njësi të ushtrisë greke si dhe banda paraushtarake, që do të depërtonin në territorin shqiptar për të organizuar një kryengritje e për të shpallur “autonominë e Vorio-Epirit”, sipas skenarit të eksperimentuar në vitin 1914.

Në sintoni me këto zhvillime, në Shqipëri, me nxitje e mbështetje nga jashtë ishte ringjallur lëvizja esadiste. Kështu, gjendja sa në Konferencën e Parisit, aq edhe në Shqipëri, po bëhej gjithnjë e më shumë kritike. Në këto kushte, në qeverinë e Durrësit e në delegacionin e saj në Paris u krijua bindja se e vetmja rrugë shpëtimi për vendin ishte pranimi i një protektorati, apo “kujdestarie” të përkohshme të një fuqie të madhe, nën të cilën do të shpëtohej të paktën tërësia tokësore e Shqipërisë londineze.

Të inkurajuar nga deklaratat e Presidentit Wilson, Mehmet Konica, Mihal Turtulli e Mithad Frashëri, mbronin idenë se kjo fuqi kujdestare duhet të ishin SHBA, që nuk kishin interesa koloniale apo imperialiste mbi Shqipërinë. Opsioni i kujdestarisë amerikane mbështetej fort edhe nga Federata “Vatra” e “Partia Kombëtare Politike” në SHBA, si dhe nga shoqata të tjera patriotike në Zvicër, Rumani, Turqi etj. Megjithatë, për protektoratin italian anonte shumica e qeverisë së Durrësit dhe e delegacionit, duke filluar nga kryeministri Turhan Pasha, njëherësh edhe kryetar i delegacionit shqiptar në Paris.

Edhe pse e pranonte epërsinë e një protektorati amerikan, zëdhënësi i këtij grupimi, Mustafa Kruja, arsyetonte se “marrëdhëniet mes shtetesh nuk ndërtohen në bazë dëshirash, por mbi bazë interesash”. Dhe, fatkeqësisht, thoshte ai, SHBA nuk kanë interesa në Shqipëri e Ballkan, kurse Italia politikën ballkanike e shqiptare e kishte një nga shtyllat themelore të politikës së saj të jashtme. Sigurisht, edhe ai e pranonte se lidhja me Italinë mund të kthehej në një aleancë “kundër armiqve të përbashkët”, por ajo bartte në vetvete edhe rrezikun që Italia të merrte një qasje imperialisto-koloniale ndaj Shqipërisë. Për Turtullin e të tjerë, kjo qasje ishte diçka e sigurt nga momenti që Italia insistonte në zbatimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, që i jepte Italisë Vlorën me rrethina si dhe protektoratin mbi Shqipërinë e Mesme, ndërkohë që ajo e veriut dhe e jugut parashiheshin t’u jepeshin Serbisë e Greqisë. Në këtë mënyrë, arsyetonin ata, “qeveria italiane jo vetëm që nuk është në gjendje të mbrojë e të bashkojë të gjithë shqiptarët në një shtet të vetëm, por përkundrazi, me synimin e saj për të shndërruar Vlorën e hinterlandin e saj në një tokë italiane, është bërë shkaktarja kryesore e shkatërrimit tonë kombëtar”.

Në fakt, Konferenca e Paqes u solli zhgënjime të hidhura anëtarëve të delegacionit shqiptar, si përkrahësve të një “zgjidhjeje italiane”, ashtu edhe përkrahësve të “zgjidhjes amerikane”. Të parët, pritën më kot që italianët t’i përgjigjeshin thirrjes së qeverisë së Durrësit e të deklaroheshin publikisht në mbrojtje të tërësisë tokësore të Shqipërisë. Jo vetëm nuk e bënë këtë, por në korrik 1919 ministri Tittoni nënshkroi një marrëveshje të fshehtë me kryeministrin grek Venizelos, me të cilën Italia i njihte Greqisë aneksimin e Korçës e të Gjirokastrës. Marrëveshja, të cilën grekët nuk duruan ta mbajnë të fshehtë, fshiu çdo shpresë në mbështetjen e interesave kombëtare shqiptare nga ana e Italisë dhe e rrënoi përfundimisht autoritetin e qeverisë filo-italiane të Durrësit.

Nga ana e tyre, edhe përkrahësit e një marrëdhënieje preferenciale e të një mandati amerikan mbi Shqipërinë, u tronditën rëndë kur në prill 1919 Presidenti Wilson iu bashkua propozimit anglo-francez për t’i njohur Italisë sovranitetin mbi Vlorën. Siç do ta pohonte më vonë vetë Wilson, ai u bombardua nga një valë e tërë protestash nga përfaqësitë e organizatave shqiptare. Deri edhe “i heshturi” Turhan Pasha, protestoi pranë Presidentit Wilson. “Çudia jonë qe aq më e madhe dhe e thershme”, thuhej në letrën e tij, “duke qenë se populli i vogël shqiptar e kishte mbështetur të gjithë shpresën e vet mbi parimet e larta të Shkëlqesisë Suaj, që të mos copëtohen shtetet pa u marrë parasysh të drejtat kombëtare të popujve që rrojnë në to”. Megjithatë, edhe në këtë fazë të parë, që mund të quhet një fazë kolaudimi me konferencën, delegacioni amerikan pengoi që kufijtë e Shqipërisë të vendoseshin shpejt e shpejt sipas ujdive të arritura paraprakisht midis Venizellosit e kryeministrave Lloyd George e Clemenceau. Qysh më 12 shkurt, përfaqësuesi i SHBA, Day, deklaroi se vendi i tij nuk do pranonte kufijtë e propozuar nga Venizellosi përderisa ata nuk përputheshin me kufijtë etnikë”, dhe se “nuk i duhej dhënë asgjë Greqisë, pa e studiuar më parë çështjen në thellësi”. Ky qëndrim, të paktën, bëri që problemi të mbetej për muaj të tërë në stand by, deri sa rrethanat të ndryshonin në favor të çështjes shqiptare.

Ngjarja e parë e madhe që ndryshoi kursin e ngjarjeve ishte thirrja e Kongresit të Lushnjës, në 21 janar 1920 dhe krijimi i një qeverie kombëtare, e cila pa përfillur atë çka po gatuhej në Paris, vendosi t’i drejtohej popullit të vet në mbrojtje të pavarësisë e të tërësisë territoriale. Vendimi për ta zhvendosur zgjidhjen e çështjes shqiptare nga Parisi në Shqipëri, duke dëbuar trupat e huaja e duke bashkuar me qeverinë e Tiranës qytetet e krahinat e lakmuara nga fqinjët, ishte një vendim unanim i Kongresit të Lushnjës dhe i qeverisë së dalë prej tij. Mbi atë bazë u ndërtua një projekt i guximshëm kombëtar për restaurimin e pavarësisë e të tërësisë territoriale të vendit duke përdorur, si ultima ratio, deri edhe forcën. Thirrja e qeverisë gjeti një jehonë masive në popull. Në fillimin e vitit 1920 situata ishte radikalizuar aq shumë, saqë edhe një ultrakonservator, si Syrja Bej Vlora, me një gjuhë prej socialisti të thekur, të shprehej se shpëtimi i Shqipërisë do vinte ose nga një fitore esocialistëve italianë në zgjedhjet e atij viti, që sipas tij do ta shkëpuste Italinë nga politika imperialiste ndaj Shqipërisë, ose nga një kryengritje e përgjithshme e popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë, gjë që do largonte edhe rrezikun e aneksimeve greko-jugosllave.

Ndërkohë, në një sinkroni rastësore me Kongresin e Lushnjës, po më 21 janar 1920 , qëndrimi i qeverisë së SHBA shënon një kthesë të fortë. Me anë të një memorandumi të shkurtër e të prerë, ajo hidhte poshtë projektin e fundit anglo-francez, atë të janarit, që pas Italisë e Greqisë kënaqte edhe oreksin e Jugosllavisë, duke i premtuar asaj Shqipërinë e Veriut. “Ne – deklaronte Wilson, – nuk mund të japim pëlqimin tonë për një rregullim, e cili qoftë për termat e dispozitave apo për metodat e përdorura për ta imponuar atë, përbën një mohim absolut të parimeve për të cilat hyri në luftë Amerika”. Lloyd George e Clemenceau e kuptuan se kësaj radhe Presidenti amerikan nuk bënte shaka dhe me anë të një letre “paqtuese” nxituan ta sigurojnë atë se asnjë vendim nuk do të merrej pa miratimin e SHBA-ve dhe se interesat e popullit shqiptar do të merreshin, gjithashtu, në konsideratë prej tyre. Wilson iu përgjigj kësaj letre më 25 shkurt.

“Presidenti – thuhej aty – merr shënim me kënaqësi se qeveritë britanike e franceze nuk do të lenë pas dore interesat e ardhshme dhe mirëqenien e popullit shqiptar. Qeveria amerikane kupton fare mirë se ndarja e Shqipërisë në tri pjesë, ashtu siç parashikohet nga marrëveshja anglo-franceze, mund të pranohej me gjithë qejf nga qeveria jugosllave, por ajo është vendosmërisht kundër që populli shqiptar të lëndohet për t’i bërë mirë Jugosllavisë, ashtu siç është kundër që populli jugosllav të lëndohet për t’i bërë favor Italisë”. “Çështjet shqiptare – nënvizonte Presidenti Wilson – në një notë të fundit të 6 marsit 1920 – nuk duhet të futen në diskutimin që propozohet midis Italisë e Jugosllavisë dhe Presidenti detyrohet të deklarojë edhe njëherë se nuk do të miratonte asnjë plan që do t’i jepte Jugosllavisë një kompensim territorial në pjesën veriore të Shqipërisë, në vend të diçkaje që mund t’i shkëputet gjetiu”.

Kjo ndërhyrje e vendosur dhe mjaft e ashpër e Presidentit Wilson i dha fund serisë së ujdive të pista që gatuheshin në kuluaret e Konferencës së Paqes mbi kurrizin e Shqipërisë. Tashmë fati i Shqipërisë nuk luhej më në Paris, por në Shqipëri. Këtu atmosfera patriotike ishte ndezur, dhe falë një koordinimi e bashkëpunimi të ngushtë mes qeverisë së Sulejman Delvinës, forcave vullnetare, çetave patriotike, popullsisë dhe organeve bashkiake të qyteteve, Gjirokastra, Durrësi, Delvina, Saranda, Leskoviku, Fieri dhe Shkodra me gjithë krahinë, shpallën bashkimin me qeverinë e Tiranës, e cila vendosi aty ushtrinë dhe administratën e vet. Në muajin maj 1920 u mbyll lufta një vjeçare e forcave patriotike të Korçës e rrethinave të saj, duke bashkuar edhe këtë qytet-simbol me qeverinë e Tiranës. Mobilizimi i jashtëzakonshëm popullor bëri që të dështojë edhe këtu, ashtu si në Shkodër, zëvendësimi i trupave franceze me trupat e ushtrisë greke. Jemi në fund të muajit maj. Pas disa ditësh do të fillonte faza e fundit e një epopeje tjetër të nisur gjithashtu një vit më parë, dhe që i ktheu qytetin simbol të Flamurit shtetit shqiptar të rilindur nga vepra dhe heroizmi i bijve të vet.

Exit mobile version