Telegrafi

Vlora Dumoshi shpreh mirënjohje për çmimin e fituar të Adriana Matoshit

Adriana Matoshi dhe Vlora Dumoshi (Foto: mkrs-ks.org

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, gjatë ditës së sotme (e premte) ka takuar aktoren Adriana Matoshi, e cila është shpërblyer me çmimin si aktorja më e mirë në Festivalin e Francës “See A Paris”.

Dumoshi ishte shprehur mirënjohëse për kontributin që aktorja po jep në promovimin e kulturës, duke ndarë si dhuratë një okarinë.

“Dua t’i përkrah maksimalisht aktorët dhe ata që realizojnë dhe promovojnë vlerat tona të mirëfillta kulturore. Tashmë është një fakt i ditur se filmi po tregon sukses në arenën ndërkombëtare krahas sportit. Kësisoj, në nivel shtetëror nëse e vlerësojmë, pa dyshim se prezantimi i kulturës tonë po realizohet nëpërmjet filmit”, tha mes tjerash ministrja.

(Foto: mkrs-ks.org)

Dumoshi në fund vlerësoi se pjesëmarrja dhe prezantimi i artistëve në festivale ndërkombëtare, në rastin konkret në Francë, tregon për bashkëpunimin që kanë dy vendet në kulturë.

Lexo po ashtu Adriana Matoshi shpërblehet me çmim në Festivalin e Francës

“Dua të falënderoj Ambasadën e Francës në Kosovë dhe përmes saj qeverinë dhe popullin francez për tërë kontributin e tyre ndaj vendit tonë, sidomos në fushat që ka në përgjegjësi MKRS-ja në shumë projekte konkrete që kanë qenë në interesin e përbashkët”, është shprehur ministrja.

(Foto: mkrs-ks.org)

Ndërkaq, Matoshi kishte falënderuar ministren, teksa foli për përvojat e veta dhe angazhimin e saj maksimal në kinematografi.

Adriana përndryshe ka fituar çmimin në Festivalin e Francës, “See A Paris”, për rolin e saj në filmin “Nëntor i Ftohtë”. /Telegrafi/

(Foto: mkrs-ks.org)