Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara po diskuton sot raportin e fundit të sekretarit të OKB-së, Antonio Guterres, mbi punën e UNMIK-ut në Kosovë për një periudhë katërmujore.
Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në fjalën e saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovë, ka thënë se vrasja e Oliver Ivanoviqit nuk ka ndikuar në përshkallëzimin e situatës së sigurisë në Kosovë, në baza etnike.
Ajo ka thënë se edhe qytetarët serb dhe shqiptarë, kanë qenë njëzëri që “vrasja e Ivanoviqit ishte pasojë e krimit të organizuar në veriun e Kosovës’.
‘Pavarësisht të gjithave që kanë ndodhur në të kaluarën, vrasja e Ivanoviqit ishte një rast që nuk përshkallëzoi situatën në bazë etnike. Në fakt, qytetarët por edhe mediet, shqiptare dhe serbe, kanë qenë njëzëri se kjo vrasje u bë si pasojë e krimit të organizuar në veriun e Kosovës. Sigurisht se zoti Ivanoviq ishte një figurë kontraverse.
Por pavarësisht kësaj, ne nuk do të lëmë gurë pa lëvizur derisa autorët e këtij krim të sjellen para drejtësisë”, ka thënë Çitaku.
Çitaku, ndër të tjera ka folur edhe për liri të fjalës, duke thënë se Kosova gëzon liri më të madhe të fjalës sesa çdo shtet tjetër në rajon.
“Kjo e arritur është meritë e madhe e gazetarëve”, ka thënë Çitaku në Këshillin e Sigurimit.
“Ata asnjëherë nuk janë përulur para pushtetit dhe grupeve tjera”./ Telegrafi/