Vlerësimi që duhet të bëhet nga ekipet e BE-së, OKB-së dhe Bankës Botërore i dëmeve nga moti i ligë në Maqedoni në fillim të këtij muaji, do të përfundojë deri në fund të shtatorit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Strategjia për riparim duhet t’i identifikojë përparësitë e menjëhershme dhe të jep vlerësim të detajuar të harxhimeve, duke siguruar një kornizë për mbështetje të donatorëve.
Analiza do të bazohet mbi parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, që nënkupton përfshirjen e rindërtimit dhe përmirësimit të infrastrukturës së dëmtuar, për të forcuar qëndrueshmërinë dhe për të rritur rolin e saj në pengimin e katastrofave të ngjashme në të ardhmen.
Koordinatorja e përhershme e OKB-së në Maqedoni, Luisa Winton thotë se ndihma duhet të drejtohet në mangësitë infrastrukturore dhe në mbrojtje, siç janë sistemet dhe kanalet e ujrave, të ndryshohet sjellja e popullatës, të pengohet deponimi i bërllogut në kanalizimet e ujit dhe të mos ndërtohen shtëpi në hapësirat me rrezik të lartë të përmbytjes.
Martin Klauke nga delegacioni i BE-së në Shkup konsideron se në raste të këtilla duhet të shqyrtohet rrënjësisht edhe shkaku i arsyeve të vërshimeve./Telegrafi/