Bitcoin e kishte filluar vitin 2021 me një rritje të fortë, por vlera e kësaj nuk kishte qenë e qëndrueshme pasi pati një rënie të theksuar.
Mirëpo, kjo kriptovalutë ka filluar ta merr veten.
Sipas CoinMarketCap, përcjell Telegrafi, Bitcoin po tregtohet me rreth 49,100 dollarë, që është shumë afër thyerjes së kufirit prej 50 mijë dollarësh.
Të dhënat tregojnë, se Bitcoin brenda një jave kishte rritje prej 30 për qind, ndërsa brenda 24-orëve u vlerësua me rreth 5 për qind.
Ditë më parë, gjiganti amerikan i veturave elektronike Tesla ka investuar 1.5 miliard dollarë në vlerë të Bitcoinit, ku planifikon ta pranojë kriptovalutën si mjet pagese.
Çmimi i kësaj valute është rritur më shumë se 700 për qind që nga përhapja e pandemisë COVID-19 për herë të parë në muajin mars 2020.
Rritja e kërkesës nga investitorët për kriptovalutën ka nxitur rritjen e vlerës së Bitcoinit në fillim të vitit 2021. Kërkesa u rrit nga mundësia e fitimeve më të shpejta në një botë që aktualisht dominohet me normat negative të interesit.
Aktualisht vlera e tregut e kësaj valute është 1.5 trilion dollarë, ku përbën mbi 60 për qind të tregut të këtyre valutave. /Telegrafi/