Site icon Telegrafi

Vlera 105 euro e koeficientit të pagave, Abdixhiku: Ky është koeficient i zbrazjes së Kosovës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka vendosur vlera e koeficientit për paga për vitin 2023 do të jetë 105 euro, ndërsa pas kësaj ka reaguar ashpër kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili theksoi se ky është koeficient i zbrazjes së Kosovës.

Abixhiku në një postim në Facebook shkruan se koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik.

“Në krizën më të madhe ekonomike e sociale ndër vite, Qeveria sërish tregoj pandjeshmëri. Pandjeshmëri ndaj përballjes qytetare, ndaj rritjes së kostos së jetesës, ndaj vet njerëzve të këtij vendi.

Lexo po ashtu Zyrtare, 105 euro është vlera e koeficientit të pagave për punëtorët e sektorit publik

Koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik. Është braktisje e njerëzve të vendit, që shkakton braktisjen e tyre të vendit”, shkruan Abdixhiku.

Ai tha se LDK-ja ka propozuar koeficient në vlerë prej 125.

“Gjithçka më pak se aq është ulje e pagave për disa e mosrritje për të tjerët. Është injorim i inflacionit e kushteve të rënduara të jetesës. Këtë propozim do të dërgojmë menjëherë edhe si amendament në Kuvend.

Një qeveri të shpërputhur nga realiteti, vendi ynë nuk e meriton. Kosova meriton më mirë, Kosova mundet më shumë!”, shkruan ndër të tjera, kryetari i LDK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version