Nga koalicioni VLEN kanë deklaruar se më 8 maj shqiptarët do t’i japin fitore plebishitare atyre.
Afrim Gashi, tha se ata janë përfaqësuesit e vetëm dhe legjitim të shqiptarëve në këto zgjedhje.
“Duke qenë garuesit e vetëm në kampin politik shqiptar dhe, natyrisht, fitues të këtij blloku, ne jemi edhe përfaqësuesit e vetëm dhe legjitimë të shqiptarëve në këto zgjedhje. Rrjedhimisht, kjo na obligon që t’i përfaqësojmë shqiptarët edhe në qeverinë e ardhshme, ku – pos tjerash – do të drejtojmë institucione të rëndësishme të Punëve të Brendshme, që janë përgjegjëse për sanksionimin e krimit dhe korrupsionit, për ta luftuar kështu fuqishëm dhe drejtpërdrejt krimin dhe korrupsionin shumështresor dhe shumëvjeçar.
Kur jemi këtu, më duhet t’ju bëj thirrje të jeni të qetë se është vetëm propagandë ajo se dikush do t’i bllokojë ndryshimet kushtetuese dhe rrugën eurointegruese. Koalicioni Shqiptar VLEN është garancë në qeverinë e ardhshme se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin dhe për këtë do të kemi kornizë të veçantë për masat dhe afatet e zbatimit të këtij detyrimi”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka thënë se duhet të hapet debat i gjerë që, gjatë ndryshimeve të ardhshme kushtetuese, të vendoset dispozita sipas së cilës presidenti i shtetit do të zgjidhet në kuvendin republikan, “gjithsesi duke synuar konsensus sa më të gjerë politik, por edhe kohezion më të lartë etnik përmes shumicës së dyfishtë”.