Koalicioni VLEN sot në një konference për shtyp thanë se BDI po e përgatit terrenin për të mos e pranuar humbjen në zgjedhjet lokale, shkruan Telegrafi Maqedoni.
“BDI non grata tashmë po e përgatit terrenin për të mos e pranuar humbjen në zgjedhjet lokale!
Pangopësia dhe arroganca e kësaj udhëheqësie të korruptuar, që dëshiron të jetë pjesë e pushtetit me çdo kusht, do të përballet me një referendum të fuqishëm kundër saj në zgjedhjet e ardhshme lokale!
Shqiptarët nuk harrojnë! Hipokrizia e BDI-së nuk mund të fshihet!
Sipas informacioneve tashmë të ditura, BDI i është ofruar mandatarit të atëhershëm, Hristijan Mickoski, që të bëheshin pjesë e qeverisë në vend të VLEN-it. Oferta që i ka shkuar Mickoskit përmes ndërmjetësuesve përfshinte katër ministri pa pozitën e kryetarit të Kuvendit, si dhe marrëveshje bashkëpunimi për komunat e Kërçovës dhe Strugës në zgjedhjet lokale”, akuzojnë nga VLEN.
Nga VLEN thonë se gënjeshtrat e BDI-së kësaj radhe nuk do të kalojnë.
Nga VLEN pyesin se “a është e vërtetë që BDI non grata dhe Sasho Mijallkov po planifikojnë skenarë për incidente parazgjedhore dhe zgjedhore, me qëllim që të mos e pranojnë humbjen dhe të shkaktojnë krizë politike?
A janë sulmet për të ashtuquajturën “deshqiptarizim” pjesë e këtij plani, për të justifikuar kaosin që synojnë të shkaktojnë?”./Telegrafi/