Site icon Telegrafi

VLEN: BDI nuk është parti politike, por makineri e lajmeve të rreme

Fatmir Sabriu nga koalicioni VLEN, sot në konferencë për shtyp e akuzoi BDI-në se ajo nuk është parti politike, por makinë prodhuese e lajmeve të rreme. Ai tha se kur BDI kapen në korrupsion, shpikin kriza.

“Në pamundësi për të pranuar se janë opozitë, e që duhet të reformohen me kuadro dhe program, ata trillojnë armiq! Kur s’kanë argumente, shpikin lajme të rreme! Për 20 vjet, kjo klikë e funksionarëve të korruptuar ka përdorur çdo mjet për të mashtruar shqiptarët, duke mbajtur pushtetin me frikë, kërcënime dhe gënjeshtra. 20 vjet, 20 mijë rrena!”

“Ja disa nga mashtrimet me të cilat BDI i gënjeu shqiptarët: Gënjyen për Kosovën, se nuk ka pasur urim për pavarësinë, ndërsa u demantuan sa hap e mbyll sytë; Gënjyen për monstrën, për sopotin, për rastin “Alfa”; Gënjyen se fëmijët në Çashkë se do mësojnë shqip; Gënjyen për drejtësinë, premtuan Gjykatë të Lartë të Barazisë që kurrë nuk u bë; Gënjyen për shëndetësinë, premtuan shtëpi të shëndetit në çdo komunë – ku janë ato sot?; Gënjyen për bujqësinë, premtuan 20,000 euro për çdo fermer të ri – një tjetër mashtrim i madh!; Gënjyen për kazinot, premtuan se do të jenë 1 km larg nga shkollat, kopshtet, kishat dhe xhamitë – por kazinot dhe bixhozin e futën në çdo shtëpi; Gënjyen të rinjtë, u premtuan hua 20,000 euro për të blerë shtëpinë e parë – një tjetër mashtrim i madh! Dhe e fundit, me të cilën u kapën mat duke gënjyer, është Ministria që e drejtuan për 15 vite – pra Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor!”.

“U demantuan dhe u doli gënjeshtra në shesh! Jo vetëm që gënjyen, por doli se për atë që sot e akuzojnë padrejtësisht Izet Mexhitin, pikërisht kuadrot e tyre ministry Bashkim Ameti, e më pas dhe Sadulla Duraku e kanë kryer procedurën e rregullt që në vitin 2017. Nga BDI buron urrejtje politike ndaj të gjithëve që mendojnë ndryshe nga ata! Se BDI është laboratori e lajmeve të rreme, e tregon edhe figura e “të pastërtit si loti” Artan “Non Grata” Grubit që tha se “po shkon t’i kryejë ca punë dhe kthehet”, por ja ku jemi tre muaj më vonë dhe ai nuk vjen të përballet me drejtësinë! A ka më të qartë se kjo?”.

“BDI duhet të përgjigjet se ku janë Artan Grubi dhe Përparim Bajrami? Pse janë në arrati dhe kush i fsheh? Si u bënë zyrtarët e tyre milionerë brenda natës? BDI dhe laboratorët e saj të lajmeve të rreme duhet ta dinë: asnjë nuk do të shpëtojë nga drejtësia! Ata që kanë vjedhur, ata që kanë mashtruar, ata që kanë përfituar në kurriz të shqiptarëve do të japin llogari! BDI ka marrë fund! Shqiptarët janë të vetëdijshëm dhe nuk bien më pre e gënjeshtrave të tyre!”, tha Sabriu./Telegrafi/

Exit mobile version