Filmi vendor “Zgjoi” ishte fitues i dyfishtë në festivalin “Seminci” në Spanjë.
Aktorja Yllka Gashi fitoi çmimin “Aktorja më e mirë”, për portretizimin e Fahrije Hotit në film.
Filmi i regjisores Blerta Basholli po ashtu mori çmimin “Fundos”, në Festivalin Ndërkombëtar të Valladolidit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një statusi në Twitter, ka uruar për këtë sukses të jashtëzakonshëm aktoren Yllka Gashi, të cilën e quajti një superyll ndërkombëtar.
“Kjo grua e jashtëzakonshme është shndërruar nga një aktore në ekranet tona televizive të Kosovës në një superyll ndërkombëtar. Yllka, jemi shumë krenarë me ty! Performanca juaj në #Hive solli në jetë luftën e grave të Krushës – vërtetë e merituar!”, ka shkruar Osmani në statusin e saj.
Gjatë pranimit të çmimit si aktorja më e mirë, Gashi tha se ka qenë nderi i jetës së saj të luaj këtë rol dhe të nderojë Fahrijen.
This incredible woman has gone from being an actress on our Kosovo TV screens to an international superstar.
Yllka, we are so proud of you! Your performance in #Hive brought to life the struggle of the women of Krusha – truly deserved! #Oscars2022 https://t.co/ohlCDk6wMx
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) October 30, 2021
“Është një histori e veçantë, specifike, e që ndodh në Kosovë, por është gjithashtu një histori universale që frymëzon këdo në botë. Sepse tregon historinë e dikujt që vuan, por që i duhet të kalojë këtë situatë e të arrijë qëllimet e veta. Është një histori e vërtetë dhe më pëlqen që në filma mund të shohësh edhe gra të forta, jo vetëm viktima. Pra të shohësh gra që janë të afta të marrin në dorë fatin e tyre. Ka qenë nderi i jetës sime të luaj këtë rol dhe të nderoj Fahrijen”, është shprehur aktorja e njohur.
Filmi “Zgjoi” që deri tani është shpërblyer me disa çmime prestigjioze ndërkombëtare u dha premierën në Kosovë më 28 tetor, teksa nga 5 nëntori “Zgjoi” do shfaqet edhe në kinematë amerikane. /Telegrafi/