Gjatë tubimit elektoral në Podujevë, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, për herë të parë ka treguar një premtim të cilin ia kishte dhënë ish-deputetit të ndjerë të LDK-së, Agim Kika, thuhet në njoftimin për media.
“Unë e kam ndarë një zyrë me ish-deputetin e nderuar nga Llapi, Agim Kika. Nuk kam njohur njeri më të mirë dhe më unifikues. Në biografinë e Agim Kikës kam shkruar një fjali: Unë do ta mbajë fjalën. Për herë të parë, në qytetin e tij, e bëj publik zotimin që ia kam dhënë Agim Kikës, për ruajtjen e unitetit të LDK-së dhe ky unitet sot është më i fortë se kurrë, përkundër tendencave të mëdha për të na përçarë”, tha Osmani.
Ajo tha se treva e Llapit ka dhënë figura të shquara të shoqërisë, siç ishin Enver Maloku dhe Xhemajl Mustafa. Vjosa Osmani përmendi edhe kontributin që kanë dhënë personalitete nga Podujeva, si ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, mandej Sabri Hamiti, etj. /Telegrafi/