Telegrafi

Vjosa Osmani nuk lëviz nga LDK-ja

Deputetja më e zëshme brenda LDK-së, Vjosa Osmani, nuk ka menduar t’i bashkëngjitet subjektit të ri politik “Alternativa”, por i sheh si mundësi të mirë bashkëpunimi.

Ajo thotë se nuk lëviz nga LDK-ja dhe se kundërshtimi i Marrëveshjes së Demarkacionit duhet bërë në mënyrë ligjore e jo përmes ushtrimit të dhunës.

Osmani këto komente i ka bërë në intervistën dhënë gazetës “Zëri”. Sipas kësaj deputeteje, ndër më të zëshmet në Parlamentin e Kosovës dhe brenda partisë së saj, ka vlerësime edhe pozitive për punën e Qeverisë.

“Koalicioni LDK-PDK, ashtu siç kam deklaruar ditën që është nënshkruar, ka dëmtuar LDK-në. Tani jam edhe më shumë e bindur për këtë. Sidoqoftë, janë disa sektorë të Qeverisë të cilat kanë treguar rezultate të mira përkundër faktit që kanë operuar brenda një sistemi të kapur nga interesa klanore dhe oligarkike”, ka thënë Osmani për “Zërin” për të shtuar se qëndrimi i saj karshi Marrëveshjes së ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi mbetet i njëjtë.

Osmani mendon se kundërshtimi i kësaj Marrëveshjeje duhet bërë në mënyrë ligjore e jo përmes ushtrimit të dhunës.

Ndryshe ajo e komenton edhe mundësinë për zgjedhje të parakohshme por, siç thotë ajo, zgjedhjet nuk mund të vinë nga Demarkacioni. “Në aspektin procedural dështimi i Demarkacionit nuk çon në zgjedhje automatikisht mirëpo zgjedhje të parakohshme mund të ketë në çdo moment kur 61 deputetë votojnë për ta rrëzuar Qeverinë”, ka thënë Osmani. /Zëri/