Telegrafi

LDK thotë se do të jetë unike në vendimin e tyre për Demarkacionin

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani dhe anëtarja tjetër e këtij komisioni Doruntinë Maloku, nuk kanë votuar fare projektligjin për ratifikimin e demarkacionit.

Këtë për Telegrafin e kanë konfirmuar vetë deputetet e LDK-së. Osmani ka thënë se nuk kanë votuar pasi që kanë nevojë për sqarime procedurale.

“Grupi parlamentar i LDK-së, ka qëndrim unik. Sot në Komision nuk kemi marrë pjesë në votim për shkak se ka nevojë për disa sqarime procedurale. Por në seancë i gjithë grupi ynë parlamentar do të jetë unik”, ka thënë Osmani.

Të njëjtën gjë e ka potencuar edhe deputetja Doruntinë Maloku, e cila ka thënë se “do të veprojmë konfrom vendimeve të organeve vendimmarrëse të LDK-së”.

Ndryshe sot në mbledhje kundër kanë votuar deputetët e VV-së, me përjashtim të deputetit Dukagjin Gorani i cili ka abstenuar.

Ndërsa, deputetët e koalicionit qeveritar kanë votuar pro projektligjit. /Telegrafi/