Kandidatja e LDK-së për kryeministër, Vjosa Osmani, është pritur me fishekzjarrë sot në një tubim në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, teksa para simpatizantëve dhe anëtarëve të kësaj partie ajo kërkoi mobilizim nacional “për të ngritur Kosovën në piedestalin e merituar”.
Osmani foli edhe për paktin e Kadri Veselit kundër korrupsionit, ku tha se nuk do ta nënshkruajnë këtë pakt ‘me ata që janë vetë korrupsioni’.
Ajo u tha qytetarëve të lagjes “Kodra e Trimave”, se është bërë boll durimi me njerëz të padijshëm, që sipas saj kuletën e shtetit e kanë konsideruar të veten.
“Boll me mashtrues që e shkëmbejnë të ardhmen e fëmijëve tanë me interes të vetin personal, u bo boll”, tha Osmani.
Ajo tha se shteti mbrohet me dije dhe jo me muskuj, dhe se nuk mendon shtetin ta ndërtojë me retorikë.
Osmani shtoi se presidenti Ibrahim Rugova ua ka lënë amanet secilit Republikën e Kosovës. Ajo tha se shtetin duhet ta mbrojnë, qoftë nga rreziqet prej jashtë apo brenda.
Sipas saj, rreziku më i madh janë të korruptuarit, dhe se është koha t’i thuhet mjaft mentalitetit plaçkitës.
Osmani tha se nuk ka cep të Kosovës që nuk e di kontributin e lagjes “Kodra e Trimave”, që sipas saj, është simbol i rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur./KP/Telegrafi/