Me ftesë të ish-sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë pune në Bullgari, si e ftuar speciale në ngjarjen e organizuar nga Clinton Global Initiative.
Presidentja Osmani, në rrjetin social Facebook, tashmë ka publikuar një fotografi me ish Sekretaren amerikane Clinton.
“Një ditë edhe më speciale, me miken e madhe të popullit tonë, Sekretaren Hillary Clinton”, ka shkruar Osmani, teksa në tavolinë shihet një torte, e cila është bërë për nderë të ditëlindjes së presidentes Osmani.
Në kuadër të ngjarjes kryesore, presidentja Osmani dhe ish-sekretarja e Shtetit Clinton do të flasin për rolin e grave në fuqizimin e ekonomive.
Presidentja Osmani do të merr pjesë po ashtu në tryezën ekzekutive që organizohet në kuadër të këtij organizimi, përkrah të ftuarve të shumtë nga bota e politikës, biznesit, filantropisë dhe shoqërisë civile.
Në kuadër të vizitës njëditore, presidentja Osmani pritet të takohet edhe me homologun bullgar Rumen Radev.
Clinton Global Initiative është themeluar në vitin 2005 nga ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton dhe ka për qëllim bashkimin e forcave të liderëve botëror për ofrimin e zgjidhjeve konkrete për sfida globale. /Telegrafi/