Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, tha të premten në Gjilan se LDK-ja do t’i marrë përgjegjësitë për shpëtimin e republikës dhe për ta kthyer shpresën tek ata që po kërkojnë shpëtim jashtë vendit.
“Sot jam e lumtur të theksoj para jush se LDK-ja po ringritet fuqishëm, për t’i marrë përgjegjësitë për shpëtimin e republikës, projektit të saj nacional. Gjatë kësaj fushate ne e kemi parë rilindjen e jashtëzakonshme të frymës rugoviane, rilindjen e asaj fryme të pavdekshme, që sublimon vlerat më të larta kulturore dhe qytetare të vendit tonë”, tha Vjosa Osmani.
Ajo tha se Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e cila i vuri themelet e jetës shumëpartiake në Kosovë, na ka mësuar se si duhet kultivuar fryma e mobilizimit për shpëtimin e vendit.
“Prijësi ynë historik na ka mësuar se si duhet të jemi këmbëngulës për mbrojtjen dhe kultivimin e vlerave tona të përbashkëta kulturore e etnike; filozofia e tij politike, këmbëngulja e tij për ta refuzuar secilën ideologji shtypëse dhe durimi i tij për ta parë të jetësuar projektin e tij për republikë të qytetarëve, na kanë udhëhequr në gjithë këtë proces”, tha kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani.
Sipas saj, këto ditë kanë qenë një dëshmi e papërshkrueshme e lidhjes së madhe shpirtërore që kanë qytetarët e Kosovës me LDK-në, prandaj fitorja në zgjedhje është në vullnet i të gjithë qytetarëve.