Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani i ka dërguar letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me procesin e votimit dhe verifikimit të aplikimeve për votim të mërgatës, duke i kërkuar rishqyrtimin e vendimit të marr sot për verifikim të aplikimeve përmes telefonit.
Në një letër drejtuar kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, Osmani i ka kërkuar rishqyrtim të këtij vendimi, duke theksuar se ky vendim mund të krijojë rrethana në të cilat e drejta e votës shkelet në mënyrë flagrante.
“E drejta e votës është e drejtë fundamentale, e garantuar me Kushtetutën tonë dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Si e tillë, e drejta e votës është e drejt e patjetërsueshme, e cila nuk mund të kushtëzohet me një telefonatë. Ky vendim, e specifikisht pika IV e tij, mund të krijojë rrethana me të cilat e drejta e votës shkelet në mënyrë flagrante”, shkruan në letrën e Osmanit, drejtuar Dakës.
Sipas Osmanit, ndonëse në parim ky vendim mund të kuptojë qëllimin për parandalimin e keqpërdorimeve në procesin zgjedhor, nga ana tjetër thotë se se një veprim i tillë mund të shkaktojë dëme të mëdha në procesin zgjedhor duke e cenuar integritetin e tij.
“Cenimi i integritetit e besueshmërisë së procesit do të krijonte pastaj vonesa të mëdha deri në certifikimin e rezultatit zgjedhor. Andaj, duke e pasur për qëllim interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës si dhe kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor në vend, si dhe duke marrë për bazë detyrimin tim kushtetues që të garantoj funksionimin kushtetues të institucioneve në vend, ju lus ta rishqyrtoni arsyeshmërinë e vendimit të lartpërmendur”, përfundon letra e Osmanit.
Letra e plotë: