Telegrafi

Vjosa Osmani infektohet me coronavirus

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani është infektuar me coronavirus.

Osmani ka njoftuar se në dy javët e ardhshme do të punojë nga shtëpia, transmeton Telegrafi.

“Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv. Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani ka lutur qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse ndaj COVID-19.

“Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar”, është shprehur ajo.

Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 690 raste të reja me coronavirus, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 849./Telegrafi/