Telegrafi

Vjosa Osmani i del në mbrojtje deputetes së VV-së

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka kritikuar përfaqësuesit e Organizatave të Dala nga Lufta (OVL-UÇK) për sjelljet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Osmani, në një status në “Facebook”, ka thënë se kërcënimi që i është bërë deputetes së “Vetëvendosjes”, Aida Dërguti, ishte e ulët.

“Ata keqpërdoren pjesëmarrjen në institucionin më të lartë të Republikës së Kosovës, me sjellje që nuk i bënë nder veteranëve te mirëfilltë”, ka shkruar ajo

Postimi i plotë:

Kur flisnin deputetët burra dhe kundërshtonin kategorizimin e luftëtareve, askush nuk reagonte e nuk kërcënonte. Kur mori fjalën një grua deputete, filluan kërcënimet e britmat.

“Ule gishtin se n’gojë ta shti atë gisht” ishin fjalët drejtuar nënkryetares së Kuvendit Aida Dërguti, nga përfaqësuesit e shoqatave të luftës. Ata keqpërdoren pjesëmarrjen në institucionin më të lartë të Republikës së Kosovës, me sjellje që nuk i bënë nder veteranëve te mirëfilltë, aq më shumë kur drejtoheshin ndaj një deputeteje grua që edhe vetë ka qenë luftëtare e UÇK-së.