Ushtruesja e detyrës së Presidentes Vjosa Osmani ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe i cakton zgjedhjet parlamentare të parakohshme për 14 shkurt.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se “duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u.d. Presidentja, dr.Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme”.
Më këtë vendim KQZ-ja është udhëzuar t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës. U.d. Presidentja po ashtu ka nxjerrë Dekret për shpërndarjen e Legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi sot aktgjykimin e plotë prej 65 faqesh lidhur me zgjedhjen jokushtetuese të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Me këtë hapet rruga për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre nga presidenti.
Çështja lidhur me kushtetushmërinë e votimit të Qeverisë Hoti u dërgua në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, për shkak se për këtë qeveri më 3 qershor kishte votuar Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë prej më shumë se një vit burgim për veprën penale “mashtrim me subvencione”. Vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë të drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës. /Telegrafi/