Pas publikimit të pamjeve të xhandarmërisë serbe, ku janë parë në dy vende duke hyrë në zonën kufitare në fshatin Karaçevë të Kamenicës, ka reaguar edhe kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati.
Kastrati përmes një postimi në Facebook ka thënë se është tejet shqetësuese që përsëri sot gjatë ditës janë parë ushtria serbe në territorin e Kosovës, madje në një zonë të frekuentuar nga banorë të të gjitha moshave.
Ai e ka quajtur këtë një provokim dhe terrorizim i qytetarëve të kësaj ane.
“Është tejet shqetësuese që përsëri sot gjatë ditës disa paramilitarë apo militarë të armatosur serb, hyn në territorin e Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë. Siç shihet në edhe në video, ata kanë ardhur në një zonë të frekuentuar nga banorët e të gjitha moshave. Provokimi i vazhdueshëm dhe terrorizimi i qytetarëve të kësaj ane, është i papranueshëm. Ky është kërcënim direkt për banorët e Karaçevës dhe për gjithë shtetin tonë. Lidhur me këtë çështje u kam nisur shkresë zyrtare Presidentit të Kosovës, Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes e atij të Punëve të Brendshme, që konform kompetencave të tyre të veprojnë në këtë drejtim”, shkruan Kastrati.
Ndryshe, banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës janë shprehur tejet të brengosur, për faktin se nëpër parkingun e një restoranti të këtij fshati janë parë dhe filmuar pjesëtarët e xhandarmerisë serbe duke kaluar.
Madje ata theksojnë se ngjarja është filmuar një kilometër në brendësi të territorit të Kosovës, më saktësisht në parkingun e restorantit “Oxygen”, ku pronari i lokalit Adhurim Krasniqi, ka publikuar pamjet e këtij momenti, transmeton Telegrafi.
Kurse, ish-kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli ka publikuar pamje të reja ku shihen xhandarmëria serbe duke hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Surdulli ka bërë apel tek institucionet e Kosovës dhe KFOR-in, që të ndërmarrin masa që këto veprime të mos përsëriten.
Sipas tij kjo ka ndikuar shumë në popullatën e kësaj zone, duke bërë që edhe qytetarën e zonës kufitare të shpërngulen nga aty. /Telegrafi/