Site icon Telegrafi

Vjen reagimi i Abazoviqit pas publikimit të pamjeve ku shihej keqtrajtimi fizik i shtetasit shqiptar Petraq Milo nga policia në Mal të Zi

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se videot, në të cilat shihen disa policë të Malit të Zi duke keqtrajtuar një shtetas të huaj në kufi me Shqipërinë, i ka parë që nga data 15 janar, prej kur edhe “janë ndërmarrë masa”.

Ai theksoi se ata që i tejkalojnë kompetencat e tyre, duhet të ndëshkohen në mënyrë adekuate.

Por, shtoi se “ka edhe një anë tjetër të medaljes”, pasi, siç tha, në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje në komunikacion.

“Nuk është se dikush e ka vënë në shënjestër dikë dhe e ka nxjerrë thjesht nga makina. Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikacionit dhe radhët”, citohet të ketë thënë Abazoviq.

Lexo po ashtu Reagime në Mal të Zi pas keqtrajtimit fizik të shtetasit shqiptar Petraq Milo nga policia malazeze

Në videot që janë shpërndarë në platforma të ndryshme sociale më 21 shkurt, duket se ngjarja ka ndodhur në pikën kufitare Sukobinë, që lidh Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Sipas pamjeve, një polic e nxjerr me forcë nga makina shtetasin e huaj, i cili nuk bën rezistencë dhe keqtrajtohet.

Policia malazeze ka treguar se pamjet e “keqtrajtimit të një shtetasi shqiptar”, të publikuara më 21 shkurt, i referohen një ngjarjeje të 15 janarit në pikën kufitare të Sukobinës.

Policia shtoi se po heton punonjësit e saj në lidhje me incidentin.

Lexo po ashtu Publikohen pamje nga keqtrajtimi fizik i Petraq Milos nga policia në kufi me Malin e Zi, fëmijët klithin: "Ç’po i bën babit?!"

Partia shqiptare në Mal të Zi, Alternativa Shqiptare, ka thënë se bëhet fjalë për shtetasin shqiptar, Petraq Milo, profesor universitar dhe ish-këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për financat publike dhe politikën monetare.

Ndërsa Abazoviq vlerëson se shpërndarja e videove në këtë kohë lidhet me zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, që pritet të mbahen muajin e ardhshëm.

“Derisa i afrohemi 19 marsit, prisni shumë më shumë video, grafitë, nacionalizëm, tensione, një atmosferë të keqe në raport me boshnjakët, shqiptarët, pakicat”, ka thënë Abazoviq.

Incidenti nxiti reagime të furishme në Mal të Zi, sidomos nga partitë shqiptare. /rel/Telegrafi/

Exit mobile version