Site icon Telegrafi

Vjen reagimi i Bayernit për Superligën Evropiane, Rummenigge: Nuk do t’i zgjidhë problemet financiare që i ka shkaktuar coronavirusi

(Foto: fcbayern.com)

Planet për formimin e një Superlige Evropiane me klubet elitare, ka nxitur reagime kundërthënëse nga gjitha bota e futbollit.

Derisa 12 klube të mëdha janë pajtuar për formimin e kësaj gare, Bayern Munichu nuk është një prej tyre dhe për më shumë, shefi ekzekutiv, Karl-Heinz Rummenigge, është shprehur kundër një iniciative të tillë.

“Bayerni nuk ka marrë pjesë në planifikimin e një Superlige. Jemi të bindur se statistikat aktuale në futboll garantojnë një bazë serioze. Bayerni i mirëpret reformat e Ligës së Kampionëve, sepse besojmë se janë hapi i duhur për zhvillimin e futbollit evropian. Modifikimi i raundit të parë preliminator do të kontribuojë në më shumë tension dhe emocionalitet në garë”.

(Foto: fcbayern.com)

“Nuk mendoj se Superliga do t’i zgjidhë problemet financiare të klubeve evropiane që i ka shkaktuar coronavirusi”.

“Në vend të kësaj, të gjitha klubet në Evropë duhet të punojnë në solidaritet për të siguruar që struktura e kostos, në veçanti rrogat e lojtarëve dhe tarifat për konsulentët, të rregullohen me të ardhurat në mënyrë që ta bëjmë futbollin evropian më të arsyeshëm”, thuhet në deklaratën e Rummenigge. /Telegrafi/


Exit mobile version