Telegrafi

Vjen fitorja e parë e prishtinasve në Ligën ENBL

Sigal Prishtina ka regjistruar fitoren e parë në Ligën ENBL, pas dy humbjeve në këtë garë.

Bardhekaltrit si mysafirë kanë mundur Zielona Gora me rezultat 75:89 (22:16, 16:19, 20:23, 17:28).

Vendasit e nisën më mirë ndeshjen, duke pasur epërsi prej nëntë pikësh 16:7, ndërsa çerekun e parë e fituan 22:16.

Periudha e dytë ishte më e barabartë, ku prishtinasit në fund ngushtojnë shifrat në 38:35, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.

Edhe perioda e tretë ishte tërësisht e barabartë, ku asnjëra skuadër nuk arrinte shkëputjen, ndërsa kjo pjesë përfundoi me një treshe nga Dardan Berisha për 58:61.

Megjithatë, në dhjetë minutat e fundit dhe vendimtare, kryeqytetasit shkëlqyen dhe triumfuan 75:89. Berisha e mbylli ndeshjen me 28 pikë.

Të dy skuadrat kanë nga një fitore e dy humbje. Ndeshjen e ardhshme Sigal Prishtina e zhvillon nesër (e mërkurë) nga ora 18:30 ndaj Polski Cukier Start Lublin.