Site icon Telegrafi

Vjedhjet në Prishtinë, mbi 800 raste për tre muaj

Në tremujorin e parë të vitit 2021 në rajonin e Prishtinës janë raportuar 457 raste të vjedhjeve si dhe 353 raste të vjedhjeve të rënda.

Kështu kanë bërë të ditur në një raport nga Policia e Kosovës.

Njohësi i sigurisë në vend, Avni Islami tha se kjo ka ndodhur për shkak të gjendjes sociale, papunësisë dhe masave shtrënguese antiCOVID-19.

Islami në një prononcim për Telegrafin ka thënë se fenomeni i rritjes së vjedhjeve në tre mujorin e parë të këtij viti ka ndodhur pasi njerëzit nuk kanë dal shumë nga shtëpitë e tyre për shkak të masave të shtrënguara si edhe papunësisë së lartë në vend në këtë periudhë kohore.

Avni Islami

“Nuk ka dilemë se fenomeni i vjedhjeve ka qenë në të gjitha periudhat, herë pas herë me rënie…Faktori kryesore është gjendja sociale e popullit në përgjithësi. Mirëpo, në periudha të caktuara, p.sh në tre mujorin e parë të këtij viti, ku edhe masat kanë qenë të shtrënguara ndaj COVID-19 njerëzit kanë qenë nëpër shtëpi, nuk kanë dal shumë dhe papunësia e ka bërë të vetën”, ka thënë Islami.

Ai po ashtu tha se faktorët determinues të rritjes së numrit të vjedhjeve është dhe faktori njeri, ku gjendja emocionale e keqbërësve dallon dhe në periudha të caktuara.

“Në muajt e verës ka rritje të numrit të vjedhje pasi edhe shkencërisht është vërtetuar se grupet e caktuara të vjedhësve nuk kanë mundësi t’i plotësojnë kërkesat e tyre, dhe ata do të përdorin metodën e vjedhjeve për t’i kënaqur kënaqësitë e tyre. Kujdes më tepër nga ana e institucioneve të sigurisë duhet t’i kushtohet vjedhjeve të rënda ku përdorën edhe armët”, ka thënë ndër të tjera Islami. /Telegrafi/

Exit mobile version