Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim sa i përket aktiviteteve me rastin e shënimit të 17 vjetorit të pavarësisë.
Policia bënë të ditur se sot dhe nesër (17-18 shkurt) në Kosovë do të qëndrojë për vizitë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj së bashku me një delegacion shoqërues.
Policia e Kosovës, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
“Gjithashtu me rastin e shënimit Ditës së Pavarësisë, aktiviteteve në shesh dhe vizitave të personaliteteve të ndryshme në Republikën e Kosovës, për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore dhe në afërsi të objekteve shtetërore ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka kërkuar mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik. /Telegrafi/