Analisti nga Shqipëria, Enton Abilekaj vizitën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Shqipëri e ka cilësuar si formale.
Kjo pasi sipas tij, e para e vendit nuk doli me një deklaratë më konkrete, por vetëm potencoi fuqinë e raporteve Kosovë-Shqipëri.
Në RTV Dukagjini, Abilekaj ka thënë se vizita e Osmanit nuk kontribuoi në atë se a kanë ndryshuar politikat e Shqipërisë ndaj krerëve në Kosovë.
“Vizita e sotme e Osmanit nuk arriti të kontribuojë aq shumë pasi nuk u fol për çështje konkrete dhe nuk u bë e qartë nëse ka ndryshuar politika e Shqipërisë, këndvështrimi i Shqipërisë ndaj krerëve në Kosovë, a kemi një koordinim në marrëdhënie të qëndrimeve, kjo mendoj që nuk u sqarua, në këtë pikëpamje ishte e gjitha formale”, ka thënë Abilekaj.
Sipas tij, presidentët mund të kontribuojnë në relaksimin e raporteve në mes të kryeministrave, në këtë rast Ramës dhe Kurtit por, siç thotë ai nuk pati ndonjë qëndrim nëse u arrit të koordinohet politika e jashtme e Kosovës dhe e Shqipërisë.
“Besoj që kriza e fundit na tregoi se është jetike të koordinohet politika e jashtme e Kosovës dhe Shqipërisë. Takimet e frytshme janë të domosdoshme, takimi si ai i qeverive është i domosdoshëm. Mendoj që presidentët të kontribuojnë në ulje të tensioneve, bëhet në bazë diskutimi e cila është duke u shqyrtuar paraprakisht, kemi presidentë në Shqipëri që organizon takimin me Osmanin, por Osmani mund të kishte dalë me një deklaratë më konkrete. Vizita ishte formale, nuk kishte asnjë qëllim”, ka vijuar ai.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte për vizitë dy ditore në Shqipëri, ku u prit në takim nga krerët e shtetit dhe nga akterë të tjerë.