Ish-nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Turqi dhe specifikisht në kompaninë e dronëve Bayraktar e ka quajtur kthesë të rëndësishme për vendin dhe raportet Kosovë – Turqi.
Morina ka thënë se vizita e Kurtit në Turqi dhe takimi i tij me presidentin e këtij shteti, Rexhep Taip Erdogan, është kontinuitet i bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
“Vizita e Kurtit në Turqi, takimi i tij me Erdoganin, kontinuitet i shtetësisë së Kosovës dhe bashkëpunimit të Kosovës me Turqinë. Turqia mbetet një ndër vendet mike tona, biseda ma shumë se njëorëshe mes tyre, ka filluar etapë e re e zhvillimeve ekonomike në fushën e sigurisë në mes të Kosovës dhe Turqisë”, ka deklaruar Morina.
Sipas tij, vizita e Kurtit në fabrikën e prodhimit të dronëve në Turqi është mesazh që do të ketë hapa të mëtutjueshëm edhe në ushtri edhe në polici dhe çështjet ekonomike në tërësi.
Ai këtë vizitë e cilëson edhe mesazh për vendet që dëshirojnë të destabilizojnë Kosovën.
“Në fabrikën e dronëve dhe nënshkrimi i marrëveshjeve për armatim, mesazh se ushtria e Kosovës vazhdimisht armatoset, kjo vizitë bën që të kemi hapa të mëtutjueshëm edhe në ushtri edhe në polici edhe çështjet ekonomike në tërësi. Me këtë i jepet mesazh Serbisë dhe vendeve tjera që mundohen ta destabilizojnë vendin”, ka vijuar ai në RTVD.
Ndryshe, dje, kryeministri Albin Kurti është takuar me vëllezërit pronarë të kompanisë së dronëve Bayraktar TB-2 në Turqi, duke bërë të ditur se ka vizituar edhe prototipin e avionit luftarak pa pilot të kësaj kompanie.
Kurti ka shkruar në Facebook të hënën se kompania turke është pioniere në industrinë e mbrojtjes dhe të aviacionit, duke theksuar se Kosova i ka në arsenalin e saj këto lloj dronësh.