Delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Çekisë sot është duke qëndruar në Kosovë për të diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave për vendin.
Ky delegacion fillimisht është pritur nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë në objektin e Qeverisë së Kosovës, me në krye zëvendëskryeministrin e vendit, Besnik Bislimi.
Në fotografi shihen ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi duke shtrënguar duart.
Telegrafi.com përmes fotografive të fotoreporterit Ridvan Slivova, ju sjell momentin e ardhjes së këtij delegacioni si dhe gjatë zhvillimit të takimit me palën kosovare, në Qeverinë e Kosovës.
Ndryshe, presidenca çeke e Bashkimit Evropian së shpejti do të rihapë diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Tema e liberalizimit të vizave për Kosovën pritet të diskutohet këtë vjeshtë sapo Komisioni Evropian të finalizojë versionin e përditësuar të raportit të tij për gatishmërinë e Kosovës, shkruan Euractiv, përcjell Telegrafi.
Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet para disa vitesh.
Për të miratuar liberalizimin e vizave është e nevojshme një shumicë e cilësuar prej të paktën 15 shteteve anëtare, që përfaqësojnë 65 për qind të qytetarëve të BE-së.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka thënë gjithashtu se Kosova do të aplikojë për t’u bërë kandidat në BE deri në fund të vitit 2022. /Telegrafi/