Ka kaluar një muaj prejse Komisioni Evropian (KE) ka dhënë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave me Kosovën, por institucionet përgjegjëse janë fokusuar në tema të tjera politike, duke e lënë anash lobimin te shtetet anëtare të BE-së dhe fushatën informuese të liberalizimit për qytetarët.
Zhvillimet politike në vend, si Asociacioni i Komunave Serbe në njërën anë dhe procesi i dialogut me Serbinë në anën tjetër, përkatësisht bashkimi i Luginës me Kosovën, janë dy çështje që kanë lënë “nën hije” procesin e liberalizimit të vizave, proces ky që sipas krerëve të shtetit do të përfundojë këtë vit.
Megjithatë, ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha ka mohuar për “Zërin” se procesi i liberalizimit të vizave është lënë anash nga Qeveria e Kosovës, ndonëse të kundërtën po e thonë përfaqësuesit e opozitës dhe ekspertët e integrimit.