Sipas të dhënave zyrtare, mbi 1200 femrave iu lejua mbulimi i shpenzimeve të procedurës in vitro për të lindur fëmijë gjatë vitit 2015, me një shkallë probiliteti prej 50 për qind. Megjithatë, ka probleme të caktuara që e bëjnë procedurën in vitro, të cilën e mundëson shteti, të vështirë dhe aspak të lirë për aplikuesit
Pas fekondimit të parë in vitro, në vitin 1987 në Angli, në Maqedoni in vitro me mbulimin e shpenzimeve nga ana e shtetit u mundësua për herë të parë në vitin 2008. Fondi i sigurimeve shëndetësore (FSSH) këtë shërbim e financon me 80.000 denarë dhe në shikim të parë gjithçka duket mirë, me përjashtim të “detajeve”, si rezultat të të cilave shumë çifte heqin dorë nga lehtësimi, të cilin e mundëson shëndetësia publike. Në vitin 2015 u shqyrtuan 1432 kërkesa për fekondim in vitro për foshnja të para. Pas shqyrtimit të këtyre kërkesave për foshnja të para, 1194 prej tyre morën përgjigje pozitive, ndërsa 7 të tjera u refuzuan. Pjesa tjetër e kërkesave ose 231 kërkesa u kthyen për t’u kompletuar dokumentacioni, në përputhje të Rregullores për fekondim biomjekësor të asistuar. Për këtë qëllim janë realizuar rreth 85,6 milionë denarë për procedura fekondimi biomjekësor të asistuar për foshnja të para, për gjithsej 1.261 raste dhe për gjashtë institucionet mjekësore me të cilat FSSH ka lidhur kontrata për ofrimin e shërbimeve të fekondimit biomjekësor të asistuar, zbardhin raportet e Fondit të sigurimeve shëndetësore të Maqedonisë. Çiftet që nuk mund të lindin fëmijë, duke filluar nga 1 gushti i vitit 2010, detyrohen të kalojnë një procedurë të ndërlikuar për të pasur mundësi të bëhen me fëmijë me ndihmën e fekondimit in vitro. Fondi i sigurimeve shëndetësore filloi zbatimin e ndryshimeve me të cilat u komplikuan kushtet e fekondimit artificial. Për këtë qëllim u formua një komision që kontrollojnë plotësimin e kushteve nga ana e aplikuesve dhe sigurimin e dokumenteve të nevojshme. Procedura fillon me gjinekologun personal, i cili duhet të udhëzojë çiftin për analiza të hormoneve dhe analiza të tjera specialistike, që të vërtetohet se çifti përkatës nuk mund të lind fëmijë në një mënyrë tjetër dhe se mënyra e vetme për të arritur qëllimin është fekondimi artificial. Pas zhvillimit të analizave përkatëse, çiftet duhet të dorëzojnë kërkesë pranë komisionit të Fondit të sigurimeve shëndetësore komision ky të cilin e formon drejtori i Fondit, në të cilin marrin pjesë katër mjekë, njëri që merret me fekondimin artificial, një gjinekolog dhe dy mjekë kontrollorë. Pas kësaj çiftet presin përgjigje me javë për arsye se tani për tani nuk është caktuar një afat konkret brenda të cilit komisioni duhet të jap mendimin e tij lidhur me fekondimin artificial.
Jetën e kalova spitaleve
Një “rrugëtim” të tillë ka kaluar Aneta Kuzevska, banuese e Shkupit, e cila shfrytëzoi të drejtën e ndihmës së shtetit për fekondim artificial. Në takimin me BIRN ajo u paraqit me një numër të madh dokumentesh, ndërsa të gjitha raportet dhe procedurat e kaluara i sqaroi me lot në sy.
“Jeta më kaloi spitaleve”! Me këto fjalë Aneta filloi historinë e saj. Për fekondimin e parë artificial asaj iu deshën dy vjet për të kompletuar dokumentet (gjithsej 121 dokumente). “Duhet të bëhen dy spermogramë në dy institucione referente. Të njëjtat duhet të bëhen brenda një muaji. Afati i shkurtër e bën procedurën të vështirë. Fillimisht duhet shkuar tek mjeku personal, që ia të caktojë termin tek urologu, me sistemi “termini im”, që në fakt e vështirëson procedurën. Në raste të caktuara duhet pritur plotë dy muaj për një kontroll tek urologu, që ky i fundit vetëm të të ridrejtojë për spermogram në klinikën shtetërore. Duhet theksuar se një spermogram nuk mund të bëhet nëse paraprakisht nuk ke bërë një test HIV/SIDA dhe një test hepatiti. E gjithë kjo kërkon shumë kohë. Deri sa të kompletosh analizën e një institucioni referent zakonisht duhet të kalojë mbi një muaj, periudhë kjo gjatë të cilës skadon afati i dokumenteve përkatëse. Kjo do të thotë se duhet filluar nga e para me analizat. Për të anashkaluar problemet e këtij lloji çiftet zakonisht vendosin të bëjnë spermogram në një nga klinikat private, që kushton rreth 1.500 denarë”, sqaron Kuzevska. Ajo këtë pjesë të jetës e ka shpenzuar për të lindur një fëmijë. Për këtë qëllim Aneta hoqi dorë nga shumë gjëra, bile edhe nga puna.
“Hoqa dorë nga puna në një firmë private, ku nuk varesha nga askush për të shkuar për analiza. Biznesi filloi të ketë pasoja sepse unë mungoja shpesh dhe nuk isha në gjendje t’i përkushtohem punës. Pas kompletimit të procedurës së transferimit të embrionit më rekomanduan pushim mjekësor. Duhet theksuar se asnjë jurist, qoftë edhe institucion shteti, nuk do mu kishte mundësuar 20 ditë pushim ose nuk do më kishte dhënë një kohë kaq të gjatë për analiza. Njëri nga bashkëshortët patjetër duhet të bëhet viktimë e procedurës së komplikuar. Prandaj unë marr edhe analizat e burrit tim, që ai të vazhdojë punën”, sqaron Kuzevska. Ajo thotë se gjëja më e mundimshme është udhëzimi i mjekut për të bërë analiza dhe mungesa e reagjenseve në institucionet përkatëse. “ Analizat e këtij lloji mund të bëhen brenda dy ditëve në një nga klinikat private”, thotë Kuzevska. Zyrtarët e Fondit të sigurimeve shëndetësore sqarojnë se e drejta e fekondimit in vitro është pjesë e programeve të Fondit dhe një e drejtë me prioritet të madh, me qëllim që të plotësohen kërkesat e të siguruarve që duan të bëhen prindër dhe që kanë nevojë për fekondim të asistuar, shkruan Birn.
“Të siguruarit kanë të drejtë të zgjedhin institucionin shëndetësor ku do të bëjnë fekondimin in vitro, duke zgjedhur një nga institucionet me të cilat Fondi i sigurimeve shëndetësore ka lidhur kontrata. Institucionet shëndetësore që ofrojnë shërbime për fekondim biomjekësor të asistuar, të cilat në vitin 2015 kanë lidhur kontrata me Fondin e sigurimeve shëndetësore janë: “Pllodnost”-Manastir, “Dr. Organxhiski”-Shtip, “Re-medika”-Shkup, “Ultramedika”-Shkup, “Moja bollnica”-Shkup, “Axhibadem Sistina”-Shkup, “Klinika universitare e gjinekologjisë dhe obstetrikës”, “Gineko medika”-Shkup dhe “Inanna sistem” (NJuborn klinik)-Shkup, thonë në Fondin e sigurimeve shëndetësore, duke i dhënë përgjigje pyetjes çfarë mund të bëhet për tejkalimin e situatës me të cilën ballafaqohen pacientët. Megjithatë, pjesë e përgjigjes nuk ka qenë problemi i analizave specialistike dhe mungesa e reagjenseve, si dhe çështjet e tjera problematike.
Para për barnat
Aneta Kuzevska gjithashtu sqaron se, përveç kohës, procedura e fekondimit in vitro kërkon edhe mjete financiare. Siç thotë ajo, këtë lloj procedure vetvetes nuk mund t’ia lejojnë çiftet me të ardhura të pakta. “Gjinekologu jep vetëm një udhëzim në muaj për të kontrolluar prolaktinën. Ai nuk ka të drejtë të jap më shumë udhëzim, ndërsa mua mund të më duhet të kontrolloj prolaktinën tri herë brenda një muaji. Prandaj këtë lloj kontrolli unë nuk mund ta bëj se sistemin “termini im”, drejtohem në klinikat private dhe paguaj nga 700 denarë. Unë për katër mbarsje që janë të detyrueshme, për të fituar një vauçer për fekondim invitro, pagova nga 900 denarë. Tre nga mbarsjet i zhvillova në institucionet shtetërore, por si rezultat të kushteve të këqija të katërtin e zhvillova në një institucion shëndetësor privat dhe pagova 200 euro”, thotë Kuzevska. Ajo sqaro se për barnat siç është “Kleksani”, të cilin e merr dy herë në ditë për tre muaj me radhë, harxhon 300 euro. “Përveç “Kleksanit”, unë marrë edhe “krinone”, xhel dhe pomadë për trajtimin e mitrës, që nuk jepen me recetë mjeku. Të njëjtat përdoren rreth 15 ditë. Për këtë qëllim duhen marrë edhe vitamina, si dhe barnat “femibion” dhe “estrofem”, Ndoshta duhet marrë edhe “aspirinë”. Gjinekologu mund të përshkruaj dy receta, ndërsa ju keni nevojë për katër, që do të thotë se pjesën e mbetur duhet ta paguani vetë. Pra barnat më kushtojnë 900 denarë në ditë, ndërsa e gjithë procedura e marrjes së barnave vazhdon 15 ditë. Kjo do të thotë se unë për gjysmën e muajit harxhoj mbi 200 euro. Pas kësaj procedure mjeku mua më rekomandoi injeksionet “cetrotid”, që muam më kushtojnë 2700 denarë. Këto injeksione unë duhet t’i përdor 16 ditë. Ky bar nuk mbulohet nga Fondi i sigurimeve shëndetësore dhe mund të gjendet vetëm në farmacinë e spitalit Sistina. Për një fekondim in vitro unë me siguri paguaj mbi 36.000 denarë (600 euro)”, thotë Kuzevska. Ajo gjithashtu sqaron se barin “cetrotid”, i cili është i shtrenjtë, nuk e marrin të gjitha pacientet, por vetëm një pjesë prej tyre dhe prandaj nuk e llogarit si shpenzim. Megjithatë, përfshirja e këtij shpenzimi do të thotë se vetëm për këtë bar duhen paguar mbi 43 mijë denarë (rreth 700 euro). Më saktësisht, Kuzevska për një in vitro shpenzon 1300 euro, që në fakt për të është një shpenzim shumë i madh. Ndër të tjera, ajo thekson se në shumën e shpenzimeve të përgjithshme nuk i llogarit shpenzimet e benzinës, parkingut, telefonit, etj.
Katër pikat e dobëta të in vitros së shtetit
Sipas gjinekologes Tatjana Gurzhanova, e cila merret me çështjen e in vitros në “Njuborn klinik”, qasja ndaj çdo pacienti është individuale, Gjithashtu, për çdo çift ndryshon edhe terapia. Ajo sqaron se analizat kërkojnë shumë kohë dhe thekson se nuk është e mundur të kontrollohen 40 deri në 50 pacientë në ditë, siç ndodh në Klinikën shtetërore. “Periudha nga caktimi i terminit e deri në realizimin e procedurës është shumë e gjatë. Për shembull, për një histeroskopi mund të kalojë 3-4 muaj. Mbarsja rekomandohet sepse mund të jap rezultate pozitive. Megjithatë ka indikacione kur është mirë të bohet mbarsja. Unë nuk jam dakord që mbarsja të bëhet me çdo kusht, më saktësisht të bëhet obligative edhe për çiftet për të cilët është e qartë se nuk do të jap rezultate”, thotë Gurzhanova. Ajo sqaron se për zgjidhjen e problemit Fondi i sigurimeve shëndetësore duhet të lidh kontrata me laboratorët privat ku bëhen analizat, që pacientët të disperzohen ose shpërndahen. Për mendimin e Gurzhanovës, pritjet e gjata ndoshta kanë të bëjnë me faktin që klinikat private nuk mund t’u japin udhëzime pacientëve, që ato të bëjnë analizat e nevojshme ë klinikat shtetërore. Dr.Gurzhanova njëkohësisht sqaron se procedura që mbështetet financiarisht nga Fondi i sigurimeve shëndetësore ka disa pika të dobëta, midis të cilave duhen theksuar katër pikat më poshtë:
– Udhëzimet e gjinekologëve privat nuk vlejnë në institucionet shtetërore;
– Mbingarkimi i Klinikës së gjinekologjisë;
– Nevoja e hapjes së qendrave primare të disperzuara dhe funksionale;
– Për çdo çift nuk mund të zbatohen kriteret e parapara nga ana e Fondit, çdo rast ka specifikat e veta, nuk janë të gjitha rastet njësoj.
Hoqa dorë nga in vitroja e shtetit
Humbëm të paktën shtatë muaj duke bërë analiza plotësuese dhe në fund hoqëm dorë nga in vitroja e shtetit, që konsiderohet se bëhet falas, u ankua Lejla, bashkëbiseduesja jonë, e cila gjithashtu bisedoi me ne mbi çështjen e fekondimit artificial. “Procedura është duke u komplikuar. Na kërkojnë edhe nga disa spermogramë, megjithëse mund t’ju refuzojnë edhe nëse një hormon do të jetë nën vlerat normale. Për pjesën më të madhe të analizave, për të mos humbur kohën, vendosa të mos pres lejen e komisionit të Fondit dhe fillova metodën në një klinikë private, që më kushton mbi 2.000 euro”, thotë Lejla për BIRN. Ajo sqaron se çmimet e barnave që duhet t’i marrë gjatë çdo procedure të fekondimit in vitro ndryshojnë varësisht analizave që do t’i kërkojë gjinekologu. “Më duhet të blej “krinone”, xhel për mbështetjen e shtatzënisë, i cili është i shtrenjtë dhe më kushton 2.500 denarë për 15 ditë. Gjithashtu duhet të blej “deksametazon”, “aspirinë”, “dociklen”, “folan”, etj. Në rast se në klinikat shtetërore nuk do të ketë reagjense ose kushte, analizat duhet të bëhen në klinikat private sepse në rastin konkret koha është gjëja më e rëndësishme. Sido që të jetë, është fakt që për çdo fekondim in vitro, përveç procedurës të cilën e mbulon financiarisht Fondi, unë shpenzoj nga 200 euro dhe më shumë”, thotë Lejla. Në Fondin e sigurimeve shëndetësore sqarojnë se procedura e fekondimit in vitro për herë të parë me mjetet e Fondit u mundësua në vitin 2008, me refundimin e mjeteve të paguara, ndërsa nga viti 2010 të siguruarit, pas lejes së lëshuar nga ana e Fondit, filluan të marrin vauçerë. Mjetet që i ka paguar Fondi i sigurimeve shëndetësore për realizimin e të drejtës së fekondimit in vitro, duke filluar nga viti 2010 e deri në vitin 2015, arrin shumën e 387 milionëve e 465 mijë denarëve ose rreth 6.300.000 euro. Kjo do të thotë se Fondi në nivel vjetor për in vitro shpenzon 1,2 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare, buxheti i përgjithshëm i Fondit në vitin 2014 ka qenë mbi 22,5 miliardë denarë ose mbi 357 milionë euro. Shifrat në fjalë nënkuptojnë se Fondi për fekondim in vitro në nivel vjetor ndan rreth 0,4 për qind të buxhetit të tij. Në Fondin e sigurimeve shëndetësore sqarojnë se duke filluar nga data 13.11.2015, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore, të siguruarit që duan të shfrytëzojnë të drejtën e fekondimit in vitro janë liruar nga detyrimi për të paguar pjesëmarrje (participacion) ose 6 mijë denarë. Ky lehtësim mundësohet për fëmijët e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, maksimum për tre përpjekje të pasuksesshme për fekondim artificial. “Shumën e participacionit tani e mbulon Fondi “, sqarojnë në Fondin e sigurimeve shëndetësore.
Ekipi cilësor është një parakusht
Mjeku Mitko Ivanovski, gjinekolog dhe ekspert i procedurës in vitro, i angazhuar në klinikën “Sistina”, për BIRN thotë se është fakt se nëpër klinikat private punojnë gjinekologë dhe embriologë me përvojë më të madhe, krahasuar me Klinikën shtetërore të gjinekologjisë dhe obstetrikës. “Që nga fillimi i realizimit të procedurës së fekondimit të asistuar, në vitin 2001, e deri më sot, në asnjë moment nuk kemi mbetur pa reagjense dhe nuk kemi pasur probleme me materialet e tjera që nevojiten për procedurën e fekondimit të asistuar. Duke marrë parasysh territorin e vendit dhe numrin e banorëve, mund të them se kemi një disperzim të mirë të Qendrave të fekondimit biomjekësor të asistuar. Për mendimin tim konkurrenca e shëndoshë është një gjë e mirë dhe ndihmon progresin. Megjithatë, duhet pasur kujdes të mos përqendrohemi në kuantitetin dhe para së gjithash të përqendrohemi në cilësinë e shërbimeve”, thotë Ivanosvki. Ai, gjithashtu është dakord se nuk ka nevojë të bëhen katër mbarsje t që i kërkon Fondi i sigurimeve shëndetësore, që çifti ose femra të fitojë një vauçer për fekondim in vitro. “Çdo rast ose çift që nuk mund të ketë fëmijë, është rast më vete dhe duhet trajtuar dhe analizuar si i tillë. Sido që të jetë, për mendimin tim anashkalohet një formulim i Rregullores së fekondimit biomjekësor të asistuar nëpërmjet Fondit të sigurimeve shëndetësore, me çrast me indikacionet sqarohet se çifti përkatës plotëson kriteret për fekondim in vitro nëse është mjekuar katër herë, me ose pa mbarsje. Jo çdo çift ka indikacione për mbarsje, para së gjithash si rezultat të problemeve me ovulacionin tek femrat”, sqaron Ivanovski. Ai gjithashtu shton se pikat e dobëta të in vitros së shtetit, përveç pajisjeve cilësore, kanë të bëjnë edhe me ekipin (gjinekologët, embriologët, biologët, infermieret, etj.), i cili duhet të jetë cilësor dhe duhet ruajtur për një periudhë kohore më të gjatë, duke gëzuar njëkohësisht edhe mbështetjen pa rezerva të menaxhmentit të spitalit Ministrisë së shëndetësisë dhe Fondit të sigurimeve shëndetësore, në aspektin e furnizimeve me mjete elementare, materiale dhe barna, që do të bëhen me kohë dhe pa pengesa./Telegrafi/BIRN.