Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka uruar shërim të shpejtë shefes së GP të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila, pasi e njëjta ka njoftuar sot se është diagnostiku me kancer të gjirit.
Ministri derisa i ka uruar shërim të plotë Kusari – Lilës, gjithashtu u ka bërë thirrje grave që të bëjnë kontrolla të rregullta, transmeton Telegrafi.
“E nderuar Kryetare e Grupit parlamentar, E dashur Mimoza, shërim të plotë e kthim të shpejtë në aktivitetet që udhëheq! Qofsh çdo herë e fortë si deri më sot! Të dashura gra e vajza, me këtë rast i bashkohem thirrjes së Mimozës për kontrolla të rregullta siç është mamografia”, ka shkruar ministri në Facebook.
Tutje, ai ka pohuar se zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit jo vetëm shpëton jetë por edhe pasojat janë minimale.
Ndryshe, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka njoftuar se është diagnostikuar me kancer të gjirit.
Ajo ka thënë se tashmë ka kryer operimin e gjirit.
“Detektimi i hershëm shpëton jetë! Të dashura mike dhe miq, Dua të ndaj një lajm me ju. Sot dola nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës – Klinika e Kirurgjisë Torakale pas operimit të kancerit të gjirit. Tri javë më parë, gjatë një kontrolli rutinor të cilin e bëj çdo vit, u diagnostikova me kancer të gjirit, dhe pas rekomandimeve të mjekëve në Klinikën Universitare, vendosëm për operacion dhe trajtim”, ka pohuar Kusari – Lila./Telegrafi/