Site icon Telegrafi

Vitia propozon të ndryshohet orari i kufizimit të lëvizjes

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i ka propozuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, plotësim-ndryshimin e vendimeve në raport me masat të cilat kanë për qëllim mbrojtjen shëndetit publik.

Vitia ka pohuar se ndër to është edhe ndryshimi i vendimit sa i përket orareve të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve, dhe se ky kufizim do të jetë nga ora 17:00 deri në orën 06:00, transmeton Telegrafi.

“Ministria e Shëndetësisë në koordinim të plotë me GNMI, MPB dhe ministritë e linjës, konform Planit të Veprimit Kombëtar dhe në pajtim të plotë me masat emergjente të aprovuara nga Qeveria e Kosovës, pas analizimit të situatës epidemiologjike, monitorimit të kujdesshëm të këtyre ditëve, posa i propozoj Kryeministrit Kurti dhe qeverisë së Republikës plotësim-ndryshimin e vendimeve në raport me masat të cilat kanë për qëllim mbrojtjen shëndetit publik.

Ndër to edhe ndryshimi i vendimit sa i përket orareve të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve. Tani ky kufizim do të jetë nga ora 17:00 deri në orën 06:00”, ka shkruar Vitia në Facebook.

Ministri ka kërkuar nga qytetarët të iu përmbahen rekomandimeve të dhëna.

“Bashkëpunimi juaj, vetdisiplina, kujdesi dhe solidariteti janë jetike në këtë betejë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jemi bashkë në administrimin e kësaj situate.
Ju lutem që të mirëkuptoni, ndiqni dhe të zbatoni të gjitha masat e reja. Për çdo shkelje të masave të përcaktuara, do të shqiptohen dënimet konform dispozitave ligjore”, ka shkruar ai.

Deri  më tani në Kosovë janë konfirmuar 88 raste me COVID-19./Telegrafi/

Exit mobile version