Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi të mërkurën se janë të brengosur me ikjen e profesionistëve shëndetësorë jashtë vendit.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Vitia tha se përmes koeficientit të Ligjit të Pagave janë munduar që ta parandalojnë këtë dukuri.
Sipas tij, profesionistët shëndetësorë janë ata të cilët kanë përfituar më së shumti nga vlera e koeficientit, nga të gjitha kategoritë.
“Kjo është një nga ato gjëra që kemi bërë për ta bindur stafin shëndetësor që të mos largohet nga vendi”, tha Vitia.
Ai tutje u bëri të ditur se përmes një rregulloreje kanë vendosur që mjekëve specialistë të cilët punojnë vetëm në sektorin publik të paguhen shtesë.
“Në anën tjetër kemi filluar dhe është një rregullore e cila do të përcaktojë se për mjekë specialistë që vendosin të punojnë vetëm në sektorin publik do të kenë një shtesë ekstra dhe natyrisht është edhe përvoja e punës dhe për një mjek specialist pas miratimit të Ligjit të Pagave, mund t’i shkojë paga deri në 1700-1800”, u shpreh Vitia. /Telegrafi/