Pas rritjes së rasteve pozitive me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë do të aplikojë masa të reja për luftimin e kësaj pandemie.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar gjatë konferencës për medie se do të shtohen ekipet e vaksinimit, por edhe punonjësit e tjerë shëndetësor nëpër sektorë të ndryshëm.
Ai u shpreh se kanë marrë miratim nga Ministria e Financave që të shtojnë resurset njerëzore, në mënyrë që të jenë të përgatitur.
“Do të rekrutojmë me procedura sa më të shpejta 1 mijë punonjës shëndetësor në SHSKUK, në IKSHPK, ne inspektorat e vende të tjera”, tha Vitia.
Vitia u shpreh se “Qysh nesër do t’i propozojmë Qeverisë për marrjen e masave kufizuese që do të prekin disa sektorë, por që janë të domosdoshme”.
“Do të propozojmë të mbyllen për një kohë klubet e natës, të reduktohet orari i gastronomisë. Ndërsa do të propozojmë edhe një zgjidhje për dasmat, me shumë kufizime të reja për shkak të rezervimeve të mëhershme që kanë bërë qytetarët tanë”, tha ministri Vitia, transmeton Telegrafi.
Ai u shpreh se, “Arsyeja pse masat kufizuese do të merren në këta sektorë është sepse është evidente që shpërndarja e virusit po vjen nga grumbullimi i madh dhe mos-respektimi i këtyre masave”, tha Vitia.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë takimit që pati sot me Odën e Hotelerisë dhe Turizmit dhe me kryetarët e komunave janë pajtuar që të marrin masa të reja anti-COVID.
Nga kjo Odë kanë njoftuar se nga data 20 gusht, do të mbyllen klubet e natës, deri më 1 shtator, ndërkaq restorantet e kafeteritë do të punojnë deri në ora 22:30.
Sipas njoftimit, do të zvogëlohet edhe numri i dasmorëve nëpër dasma, nga 300 sa ishte në 150 dasmorë.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se janë pajtuar me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për shtrëngimin e masave anti-COVID.
Në komunikatë thuhet se “do të ketë shtim të stafit shëndetësor por edhe me pjesën e inspektoratëve në komuna dhe nivelin qendror e që kjo pritet të miratohet në takimin e nesërm të Qeverisë së Kosovës”.
“Masat janë nga data 20.08.2021: Sallat e dasmave deri në ora 22:30, kapaciteti i klientëve 150 të pranishëm. Klubet e natës dhe diskotekat mbyllen deri më 01.09.2021. Të gjitha restorantet ditore, kafiteritë, etj. punojnë deri 22:30”, thuhet në njoftimin e Odës, Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës.
Tutje, bëhet e ditur se “Nga data 20.08.2021 pa dëshmi vaksinimi apo test PCR nuk lejohen klientët në asnjë nga ambientet Hoteliere-Gastronomike”.
Vitia konfirmoi se ekipet e vaksinimit do të punojnë edhe gjatë të shtunave. /Telegrafi/