Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media ka njoftuar se lajmi i publikuar për anulimin e vaksinave Pfizer është i pavërtetë.
Vitia ka deklaruar se një lajm i tillë dëmton procesin e negocimit të vaksinave antiCOVID.
“Sot në vend të një konferencë për të treguar për masat e reja, më duhet të flas për një lajm të pavërtetë, i cili është i dëmshëm për procesin e vaksinave. Lajmi i publikuar në Gazetën Insajder është i pavërtetë, i dëmshëm dhe dashakeq”, tha ai.
Ministri u shpreh se tashmë është themeluar komisioni për negocimin e vaksinave kundër COVID-19 dhe se janë duke punuar në sigurimin e vaksinave. Gjithashtu, ai tha se nuk mund të jap detaje tjera pasi që të dhënat janë konfidenciale.
“Ata që kanë publikuar të dhënat për sigurimin e vaksinave kanë rrezikuar sigurimin e tyre, e po ashtu shëndetin e qytetarëve. Ftojmë Prokurorinë e Shtetit të veprojë dhe të mbrojë interesat e qytetarëve”, shtoi Vitia.
Ndryshe, gjatë ditës është raportuar se ministri Arben Vitia nuk ka nënshkruar kontratë me kompaninë Pfizer dhe BioNtech, ku sipas tyre, e gjithë puna për furnizim me vaksina është kryer dhe duhej vetëm që Vitia të nënshkruante kontratën të cilën nuk e ka bërë. Si pasojë e kësaj, furnizimi me vaksina do të shtyhet deri në shtator. /Telegrafi/