Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës iu drejtua ish-ministrit Armend Zemaj, duke i thënë se ka folur për marrëveshjen e konfidencialitetit për furnizim me vaksina anti-COVID, megjithëse vet e kishte nënshkruar atë, duke qenë i vetëdijshëm se ishte konfidenciale.
Vitia tha se ai e ka respektuar marrëveshjen më shumë sesa vet Zemaj që e kishte nënshkruar.
Ministri i Shëndetësisë tha gjatë kësaj seance se këtë marrëveshje, që u nënshkrua në dhjetor të vitit të kaluar, nuk e ka gjetur në Ministri.
“Në dokumentet që nuk i kam gjetur në Ministrin ë e Shëndetësisë, nuk e kam gjetur fatkeqësisht as marrëveshjen e konfidencialitetit të cilën ju e keni nënshkruar diku në dhjetor të vitit 2020. Dhe, në këtë marrëveshje zotëri Zemaj, ju e dini shumë mirë se çfarë klasifikohet si konfidenciale aty brenda. Nuk është ajo çfarë keni thënë nëpër medie. Është çdo informacion brenda marrëveshjes klasifikohet si konfidenciale. Më vjen keq zotëri Zemaj, unë e kam respektuar shumë më shumë nënshkrimin tuaj, sesa ju nënshkrimin e juaj”, u shpreh Vitia.
Vitia tha se edhe duke e ditur se çfarë përmbajtje kishte marrëveshja e konfidencialitetit, ai [Zemaj] ka folur për të në publik.
“Unë nuk e kam folur asnjë fjalë për atë që ju e keni nënshkruar. Kurse ju, megjithëse e keni marrë barrën mbi veti me nënshkrimin e asaj marrëveshje, duke e ditur se çfarë ka brenda dhe çfarë klasifikohet si konfidenciale, e keni bërë këtë”, theksoi Vitia. /Telegrafi/